Republika e Kosoves

Prizren

Komuna sqaron qytetarët lidhur me banimin kolektiv në rrugën ” Ardian Zurnaxhiu” në qytet

2021/04/16 - 5:51

Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Beni Kizolli sot ka mbajtur një konferencë për media për ta njoftuar opinionin publik në lidhje me banimin kolektiv në rrugën “Ardian Zurnaxhiu” (rr. “Tahir Meha”).
Me këtë rast drejtori Kizolli njoftoi që këtë lëndë kishin pranuar para 15 muajve, saktësisht më 07.11.2019, por nuk kishin arritur ta përmbyllim këtë lëndë deri më tani për shkak të mos kthimit të përgjigjes nga institucionet relevante.
Sipas drejtorit, më 18.12.2019, lënda është dërguar në QRTK, ku edhe nga ata për 6 muaj nuk kanë pranuar asnjë përgjigje. Pas 6 muajve, drejtori Kizolli njoftoi se drejtoria ka vazhduar me procedurat e Ligjit për Ndërtim, është lëshuar njoftimi, i cili ka qëndruar dy javë dhe gjatë kësaj periudhe DUPH-ja nuk ka pranuar asnjë ankesë nga ana e qytetarëve.
“Më 08.07.2020, DUPH-ja ka lëshuar Kushtet Ndërtimore dhe një muaj pas lëshimit të këtij kushti, drejtoria ka pranuar një ankesë nga banorët e rrugës “ Tahir Meha”. Pas kësaj DUPH-ja ka pranuar edhe një përgjigje me vonesë nga QRTK-ja, e cila ka refuzuar ndërtimin e etazhitetit B+P+5 për shkak të respektimit të zonës së dytë mbrojtëse, në të cilën lejohet ndërtimi P+2, duke mos dhënë hapësirë për ankesë. Me këtë përgjigje drejtoria ka shfuqizuar Kushtet Ndërtimore, me ç’rast pala është ankuar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, njoftoi drejtori Kizolli.
Më pas ai bëri të ditur që ministria në fjalë ka konstatuar që parcela kadastrale e ndërtesës nuk përfshihet në zonën historike dhe në këtë zonë nuk ka plan rregulluese dhe si drejtori kanë lëshuar përsëri kushtin ndërtimor.
Pas takimit të zyrtarëve komunalë me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, drejtori njoftoi se u dakorduan që projektin në fjalë edhe njëherë t’ia drejtojnë QRTK-së, përkatësisht Institutit.
Së fundmi, drejtori Kizolli theksoi se “Vlerat nuk mbrohen me të pavërteta dhe se puna e angazhuar për plotësimin e dokumentacioneve për mbrojtjen e trashëgimisë është vlerë në vete, por kjo kërkon punë, dije dhe durim. Komuna e Prizrenit, përkatësisht DUPH për 4 vite është duke u punuar për Hartën Zonale, 6 muaj mbi dy rregullore, një për parkingje e tjetra për reklama, mbi një vit për mobilerinë urbane për Qendrën Historike si dhe mbi 4 muaj po përgatitet përmbajtja e konkursit me të cilën synohet të ketë edhe një udhëzues për Mobilierinë Urbane të Qendrës Historike”