Republika e Kosoves

Prizren

Kryetari z. Mytaher Haskuka organizon konferencë – Adaptimi i komunave në ndryshimet klimatike

2019/04/19 - 1:45

Pjesëmarrës në këtë konferencë përveç kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili ishte nikoqir i këtij takimi, ishin edhe kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të Mamushës, Junikut, Gjakovës, Deçanit, Suharekës, Malishevës, Rahovecit, Dragashit, Klinës e Mitrovicës, si dhe përfaqësuesit nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare.

Nga kjo konferencë u dha si përfundim që problemet kryesore të shkaktuara në ndryshimet klimatike vijnë nga vetë faktori njeri, duke përfshirë ndotjen e ambientit nga lirimi i gazrave të dëmshme, krijimin e deponive ilegale, dëmtimin e shtratit të lumenjve me anë të ndërhyrjeve të ndryshme dhe ndërtimit të hidrocentraleve, djegien e pyjeve etj., derisa një rëndësi të veçantë i kushtuam menaxhimit të situatës ndaj fatkeqësive natyrore.

Pas prezentimeve nga ana e përfaqësuesve të komunave dhe më pas identifikimit të problemeve, të gjithë u pajtuan që krijimi i qendrës për zhvillim të gjelbër është e domosdoshme për secilën komunë për të vlerësuar impaktin dhe ndikimin e projekteve të ndryshme në natyrë, derisa krahas vetëdijësimit të popullatës duhet të ketë edhe zbatueshmëri më efikase të ligjeve dhe bashkëpunim më të fortë në nivel të komunave dhe me nivelin qendror.

Krejt në fund, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, u dakorduan që me anë të një aksioni për pastrim, që do të realizohet nesër në zonën kufitare mes komunës së Prizrenit dhe asaj të Suharekës, përkatësisht në afërsi të fshatit Malësi e Re, të ndikojnë simbolikisht në vetëdijësimin e popullatës për ruajtje të ambientit.