Republika e Kosoves

Prizren

Lirohen nga pagesa e qirasë dhe taksave bizneset e komunës sonë për periudhën gjashtë mujore (mars-gusht 2020)

2020/05/29 - 2:05

Kuvendi Komunal i Prizrenit sot ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme, e cila për shkak të kushteve pandemike u organizua në sallën e shtëpisë së kulturës “Xhemajli Berisha”.

Mbledhja filloi me pikën e parë të rendit të ditës e cila ishte për shqyrtimin dhe miratimin e propozim-vendimit për lirimin nga pagesa e qirasë dhe taksave për bizneset në Komunën e Prizrenit për periudhën gjashtë (6) mujore (mars-gusht 2020) për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Kjo pikë u përkrahë nga të gjithë kuvendarët prezentë dhe u votua unanimisht, sikurse edhe pika e dytë e rendit të ditë, e cila ishte për shqyrtimin dhe miratimin e memorandumit për mbështetje financiare për strehimoren e grave dhe fëmijëve – Nismë për bashkëpunim nderekomunal per finacimin e “qenderes per strehim të grave dhe femijeve”..

Në pikën e tretë dhe të fundit të kësaj mbledhjeje u bë shqyrtimi dhe miratimi i Planit komunal të veprimit për efiçiencë të energjisë (PKVEE) 2019-2021. Prezentimi i këtij dokumenti u bë nga zyrtari i lartë për energjetikë në Komunën e Prizrenit, Gëzim Gërgi, ndërsa më pas me 32 vota për, 3 kundër dhe 1 abstenim, dokumenti u miratua me shumicën e votave të kuvendarëve.

Krejt në fund, fjalën e mori kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili dha informacione lidhur me fatkeqësitë natyrore si vërshimet dhe breshëri që kanë shkaktuar dëme të shumta tek banorët e komunës së Prizrenit. Kryetari Haskuka lidhur me këtë çështje tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është formuar komisioni i përbashkët, i cili tashmë ka përfunduar punën lidhur me evidentimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga këto fatkeqësi, për të cilat do të bëhet kompenzimi nga ana e Ministrisë. Gjatë fjalës së tij, kryetari Haskuka gjithashtu dha informacione lidhur me çështje të ndryshme të ngritura nga kuvendarët, të cilat kryesisht kishin të bëjnë me pandeminë.