Republika e Kosoves

Prizren

Mbledhja e rregullt me drejtoret e Komunës së Prizrenit

2023/01/31 - 6:08

Në prani të mediave dhe shoqërisë civile, nën monitorimin e OSBE-së, sot, u mbajt mbledhja e përjavshme me drejtorët e Komunës, udhëhequr nga Kryetari Shaqir Totaj.

Fillimisht, Kryetari i adresoi të gjitha çështjet nga bisedat me qytetarët te drejtorët përkatës, të cilat do të trajtohen ditëve në vijim.

Tashmë është bërë alokimi i buxhetit për Komunën e Prizrenit dhe realizimi i projekteve kapitale e projekteve të tjera do të fillojë menjëherë të cilat do të zhvillohen me intensitet e cilësi të lartë, sipas afateve ligjore. Me rregullimin e kushteve klimatike, së shpejti do të filloj projekti në Sheshin “Shatërvan” ku kabllot e rrymës do të futen nën tokë dhe do të bëhet rregullimi profesional i kalldrëmit.

Në këtë fillimvit ka filluar procesi i plafikimit të digjitalizimit të shkollave. Ndërsa, për herë të parë, në Prizren, sivjet do të mbahet gara mbarëkombëtare “Fizikani i ri”.

Me këtë rast, Kryetari Shaqir Totaj kërkoi që të eliminohen pagesat e klubeve sportive të Komunës së Prizrenit që shfrytëzojnë sallat sportive të shkollave.

Gjithashtu, kanë filluar përgatitjet për organizimin e festës së Pavarësisë së Kosovës, ku janë paraparë një sërë aktivitetesh nga mëngjesi deri në mbrëmje.

Pas kësaj mbledhjeje u mbajt konferenca e zakonshme për media.