Republika e Kosoves

Prizren

Përurohet salla e re sportive për nxënësit e shkollës “Motrat Qiriazi” në qytet

2021/06/09 - 3:23

Me rastin e shënimit të 56 vjetorit të themelimit të shkollës “Motrat Qiriazi”, kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, sot së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit Xhemile Thaçi Vezgishi, morën pjesë në përurimin e sallës së re sportive në këtë shkollë, ku dhe panë nga afër punimet e përfunduara.

Me këtë rast kryetari Haskuka deklaroi se përveç renovimit të tërësishëm, në kuadër të këtij projekti të financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, është bërë edhe furnizimi i sallës me të gjitha pajisjet e nevojshme për zhvillimin e sporteve të ndryshme siç janë tenisi, hendbolli, futbolli, basketbolli, xhudo, karate, ping-pongu e shumë të tjera.

Po ashtu, kryetari Haskuka theksoi se në fillim të vitit shkollor, Komuna e Prizrenit, ka bërë edhe renovimin e klasave parafillore të kësaj shkolle dhe me përurimin e sallës së re sportive, kjo shkollë pothuajse ka kompletuar nevojat e saja për zhvillimin e arsimit cilësor.