Republika e Kosoves

Prizren

Projekt rregullorja për transportin rrugor në territorin e komunës sonë, konsultohet edhe më qytetarët

2022/09/23 - 1:48

Është mbajtur sot konsultim publik me qytetarë për projekt rregulloren për transportin rrugor në territorin e Komunës së Prizrenit, konsultimi publik është organizuar nga anëtarët e grupit punues për hartimin e rregullores.

Hapja e konsultimit publik është bërë nga Ymer Berisha, shef i njësisë për komunikim me publikun i cili ka thënë se konsultimi publik është organizuar për t’i marrë kërkesat eventuale të qytetarëve për rregulloren dhe për të ndarë bashkëautorësinë e këtij dokumenti më rendesi specifike për publikun. Anëtarët e grupit punues për hartimin e rregullores, janë duke mbajtur shënime dhe bazuar në legjislacionin në fuqi, kërkesat tuaja mund të hyjnë në dokumentin final.

Përparim Shala, kryesues i grupit punues të rregullores është shprehur se rregullorja është përgatitur pas formimit të krupit punues nga kryetari i Komunës, Shaqir Totaj dhe se kjo rregullore ka gjithsej 106 nene.

Haziz Krasniqi, ka thënë se njoftimi për mbajtjen e konsultimit është bërë publik në webfaqe të komunës, në platformën e konsultimeve publike dhe në rrjetin social facebook me 14.09.2022 dhe se ky dokument do të jetë në konsultim për 30 ditë, pra nga 14.09.2022 deri me 14.10.2022.

Qytetarëve pjesëmarrës në konsultim publik u është dorëzuar në mënyrë fizike projekt rregullorja për transportin rrugor në territorin e Komunës së Prizrenit. Kërkesat e qytetarëve të pranishëm në konsultim ishin: Vendosja e GPS (Sistemi Global i Pozicionimit) për autobusët lokal të transportit urban si dhe zgjerimi i shtrirjes së itinerarit të autobusëve lokal të transportit urban, deri tek rrethi i Hoçës (BAU Market) meqë deri atje shtrihet lagjja “Bajram Curri).

Qytetarët kanë mundësi që t’i dërgojnë komentet, sugjerimit deri me datë 14.10.2022 në këto emaila zyrtare: Perparim.Shala@rks-gov.net , Ymer.Berisha@rks-gov.net dhe Haziz.Krasniqi@rks-gov.net. Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të kenë rregulloren mund të marrin në këtë vegëz: https://kk.rks-gov.net/prizren/konsultime-publike/rregulloret-ne-konsultim-publik/ .

Për ecurinë e gjithë procesit të përgatitjes dhe mbajtës së konsultimit publik, zyrtarët përgjegjës do të përgatisin raport dhe i njëjti do të publikohet në webfaqen zyrtare të komunës në rubrikën “Konsultime Publike”.