Republika e Kosoves

Prizren

Punimet drejtë finalizimit të çerdhes publike në lagjen “Dardania”

2021/01/12 - 10:01

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, sot së bashku me koordinatorin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Kosovë, Cihan Dinçer dhe drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi, kanë parë nga afër punimet që tashmë janë në përfundim e sipër për ndërtimin e çerdhes publike në lagjen Dardania, e cila së shpejti do të hyjë në shërbim të nxënësve parashkollor të kësaj lagjeje.

Në kuadër të këtij projekti të financuar tërësisht nga TIKA, janë ndërtuar 2 klasa mësimore, dhoma e personelit, korridori, ballkoni dhe nyjet sanitare. Po ashtu, në fund të punimeve do të rregullohet edhe oborri i çerdhes ku dhe do të vendosen lodrat për fëmijë.

Pas kësaj, kryetari Haskuka së bashku me koordinatorin Dinçer, zhvilluan një takim miqësor ku dhe biseduan për bashkëpunimin e mëtutjeshëm të Komunës së Prizrenit me TIKA-n.

Me këtë rast, kryetari Haskuka duke deklaruar se donacionet e tilla kanë një vlerë të rëndësishme në këtë kohë pandemie, falënderoi koordinatorin Dinçer për mbështetjen e vazhdueshme të TIKA-së ndaj Komunës së Prizrenit, në këtë situatë të vështirë të pandemisë.