Republika e Kosoves

Prizren

Regjenerohen urat dhe hapësirat përcjellëse në të dy anët e Lumbardhit

2021/01/14 - 9:03

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Beni Kizolli dhe kryetarin e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, Masar Dushi, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, përmes së cilës do të mundësohet përfshirja e arkitektëve profesionalë në procesin e regjenerimit të urave dhe hapësirave përcjellëse në të dy anët e Lumbardhit.

Qendra Historike e Prizrenit dhe trashëgimia kulturore e saj, është pasuria më e rëndësishme që qytetit tonë që ia jep epitetin “Më i Bukuri Vend”.  Andaj, gjatë implementimit të Planit për Menaxhimin e Qendrës Historike, po i kushtojmë një rëndësi të veçantë bashkëpunimit me arkitektët, ekspertët e fushës dhe qytetarët.

Në këtë drejtim, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Beni Kizolli dhe kryetarin e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, Masar Dushi, nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi, përmes së cilës do të mundësohet përfshirja e arkitektëve profesionalë në procesin e regjenerimit të urave dhe hapësirave përcjellëse në të dy anët e Lumbardhit.

Po ashtu, në këtë proces, do të përfshihen edhe institucionet përgjegjëse për Qendrën Historike të Prizrenit si dhe do të formohet grupi vlerësues, hartues dhe këshillues, bashkë me të cilët Qendrën Historike të Prizrenit do ta shndërrojmë në një ambient me sa më shumë hapësira publike të përshtatshme për këmbësorët.

Urojmë që kjo formë e bashkëpunimit me ekspertët e fushës dhe me një proces gjithëpërfshirës, do të na sigurojë një Qendër Historike që i përgjigjet frymës dhe vlerave të Prizrenit.