Republika e Kosoves

Prizren

Siguria e qytetarëve të komunës sonë prioritet i kryetarit Haskuka

2018/12/24 - 3:51

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot është takuar me përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë dhe përfaqësues të organeve komunale që kanë të bëjnë me çështje të sigurisë, për të diskutuar dhe koordinuar para festave të fundvitit.

Fillimisht u raportua situata aktuale nga të gjithë përfaqësuesit e pranishëm dhe u tregua gatishmëria për situatat e mundshme emergjente të fundvitit. Si pikat kryesore që mund të jenë problematike për këtë periudhë janë përmendur ndezja e fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike, gjuajtja me armë zjarri, aksidentet në komunikacion dhe vështirësitë rrugore nga kushtet atmosferike.

Me këtë rast, nga Drejtoria e Inspektorateve u bë e ditur se brenda dy muajve të fundit janë inspektuar 32 qendra tregtare dhe hipermarkete dhe janë larguar rreth 5 mijë artikuj të ndryshëm me afat të skaduar apo deklaracion të mangët, derisa Drejtoria e Emergjencës dhe e Shëndetësisë njoftuan për gatishmërinë e stafit të zjarrfikësve dhe atij mjekësor për rastet emergjente.