Republika e Kosoves

Prizren

Testet serologjike qytetarët mund t’i bëjnë në QKMF-në e qytetit

2020/10/12 - 7:40

Qytetarët e komunës së Prizrenit tanimë do të mund të bëjnë teste serologjike për COVID-19, në laboratorin e Qendrës së Mjekësisë Familjare 1.

Këto teste që bëhen përmes gjakut, tregojnë nëse personi është ose ka qenë i infektuar me koronavirus dhe pasqyrojnë imunitetin e popullatës, që rrjedhimisht do të ndihmojnë në verifikimin e saktë të personave që janë infektuar me COVID-19.

Duke theksuar se kryerja e testeve serologjike ka qenë kërkesë e Komunës së Prizrenit që nga fillimi i pandemisë, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, deklaroi se “Që nga fillimi i pandemisë, Komuna e Prizrenit vazhdimisht ka kërkuar që testet serologjike të kryhen edhe në qytetin tonë. Shpresojmë që Kosova të mos hyjë në valën e dytë të pandemisë, por nëse ndodh një gjë e tillë, Komuna e Prizrenit tanimë është gati për t’u përballur me të”, tha Haskuka.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu-Hoxhaj pohoi se këto teste do të kryhen në bazë të udhëzimeve të mjekëve të institucioneve shëndetësore dhe se rezultatet e tyre do të dalin brenda ditës.