Republika e Kosoves

Rahovec

Kryetari Latifi priti në takim ministrin e  Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural , Besian Mustafa

2020/05/22 - 8:48

Gjatë ditës së djeshme, Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka pritur në takim ministrin e  Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ,Besian Mustafa me të cilin ka biseduar për dëmet e shkaktuara nga shiu dhe breshëri në sektorin e bujqësisë.

Kryetari Latifi e ka njoftuar ministrin Mustafa, për dëmet e shkaktuara në fshatrat: Zoqisht, Retija, Hoçë e Vogël, Brestoci,Opterushë, Nagac dhe Krushë e Madhe.

‘’Siç pamë nga afër, në Zaqisht e në Krushë të Madhe, ka dëmtime të mëdha të sipërfaqeve të mbjellura me kultura bujqësore, andaj bashkë me Ministrin në detyrë, z.Besian Mustafa u dakorduam që Qeveria domosdo të mbështesë fermerët dhe t’iu ofrojë mbështetje institucionale konkrete me aq kapacitete sa ka.

Sot, me vendimin tim janë formuar edhe pesë komisione për vlerësimin e dëmeve në bujqësi dhe amvisëri, sidomos në zonat të cilat edhe janë kapluar nga vërshimet, siç është rasti me fshatin Krushë e Madhe e pjesë të tjera ku ka një dëm të konsiderueshëm nga breshri dhe vërshimet e mbrëmshme.

Pas vlerësimit të gjendjes faktike në terren, Drejtoria e Bujqësisë, do të hartojë një raport të detajuar të vlerësimit të dëmeve, nga ku edhe shpresojmë që do të gjejmë përkrahjen e mjaftueshme që këto dëme të kompensohen, në mënyrë që bujqit tanë të kenë të paktën një përkrahje optimale për rikthim në normalitet’’, u shpreh Kryetari Latifi.

Zyra për Informim