Republika e Kosoves

Rahovec

Kryetari Latifi, takohet me kryetarët e këshillave të fshatrave dhe lagjeve të qytetit

2020/10/08 - 3:45

Në sallën e mbledhjeve të kuvendit Komunal të Rahovecit, kryetari i komunës, Smajl Latifi sot ka mbajtur takim me kryetarët e këshillave të fshatrave dhe lagjeve të qytetit të Rahovecit, gjatë takimit është diskutuar për performancën komunale.

Në fillim të takimit Kryetari Latifi i ka informuar kryetarët e fshatrave dhe lagjeve se buxheti i komunës së Rahovecit për vitin 2021 është aprovuar me kohë ashtu siç e parasheh legjislacioni në fuqi.

“Buxheti i komunës së Rahovecit për vitin 2021 do të jetë më i vogël shkaku i shkurtimeve që kanë ardhur si pasoj e pandemisë Covid-19, por se ne me punën dhe angazhimin e madh që kemi bërë kemi arritur që të shpallemi komuna e dytë në nivel vendi për performancë komunale për vitin 2019 dhe si rezultat i kësaj renditje, komuna jonë ka përfituar një grand me vlerë prej 655,147.23 eurove. Kërkesat që ju dhe anëtarët e këshillit të kryetarëve të fshatrave dhe lagjeve i keni paraqitur në debatet e mbajtura nga anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa, ju njoftoj se pjesë e madhe e tyre kanë hyrë në buxhetin e komunës për vitin 2021 ”, ka thënë kryetari Latifi.

Skender Hamza, Udhëheqës i Sektorit për Punë të Kuvendit Komunal, ka kërkuar nga kryetarët e këshillave të fshatrave dhe lagjeve të qytetit të Rahovecit që saherë që mbajnë takime, të mbajnë procesverbale dhe ato procesverbale të dorëzohen në komunë. Sipas Hamzës, kjo kërkesë vije pasi që njëri nga treguesit që duhet të plotësohen në raportin e performancës është edhe argumentimi i mbajtjes së mbledhjeve nga kryetarët dhe anëtarët e këshillave të fshatrave.

Kryetarët e këshillave të fshatrave dhe lagjeve të qytetit të Rahovecit, u zotuan se procesverbalet e mbajtjes së takimeve do ti përgatisin dhe të njëjtit do të dorëzohen tek personi zyrtarë në këtë rast tek Skender Hamza, Udhëheqës i Sektorit për Punë të Kuvendit Komunal.

Zyra për Informim