Republika e Kosoves

Rahovec

Përkujtohen 106 martirë në fshatin Pastasellë

2021/03/31 - 1:12

Në fshatin Pastasellë të komunës së Rahovecit, u mbajt tubim përkujtimor në 22 vjetorin e vrasjes së 106 martirëve të cilët u vranë dhe u masakruan nga ushtria dhe paramilitarët serb, ku pasi që u varrosën nga banorët e këtij fshati, paramilitarët serb u kthyen dhe i nxorën trupat nga varret për ti dërguar në drejtime të panjohura.

Pjesëmarrës të këtij tubimi përkujtimor ishin kryetari i komunës, z. Smajl Latifi, nënkryetari i komunës së Rahovecit, z.Fatmir Iska drejtorët e drejtorive komunale, të mbijetuar, familjar të të masakruarve dhe banorët të fshatrave për rreth të cilët kishin ardhur për të nderuar të rënët e datës 31.03.1999.

Një fjalë rasti në këtë tubim përkujtimorë ka mbajtur kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.

“Eskadronet e vdekjes të ushtrisë e të sigurimit të Serbisë, më 31 mars 1999, rrethuan fshatin Pastasel dhe ekzekutuan mizorisht 106 shqiptarë të paarmatosur: burra, gra, pleq e fëmijë. Shumica ishin banorë të këtij fshati, por kishte edhe nga Guri i Kuq, Zatriqi, Polluzha, Kazniku, Kramoviku, Çifllaku, Senoci dhe nga komuna e Klinës, të cilët ishin të strehuar në fshat, të njëjtit pasi janë varrosur nga banorët e fshatit, forcat pushtuese serbe i kanë zhvarrosur, ndërsa një pjesë të tyre edhe i kanë djegur duke u munduar t’i zhdukin gjurmët e krimit të tyre. Fatkeqësisht deri më sot, nuk u dënua krimi dhe nga kriminelët serb, madje, as nuk u hetua dikush për këto krime të llahtarshme. Gjaku i derdhur në Rudinë dhe kujtimi për të rënët na bashkoi sot e do të na bashkojë përmot, të vetëdijshëm se, ne jemi të përkohshëm, kurse gjaku dhe kujtimi i tyre janë të përjetshëm. T’i kujtojmë e nderojmë ata që ranë për Atdhe, që ne sot të jetojmë të lirë”.

Zyra për Marrëdhënie me Publikun