Republika e Kosoves

Rahovec

U shënua 22 vjetori i ‘’Epopesë së Korrikut 1998’’ në Komunën e Rahovecit

2020/07/27 - 9:03

Aktivitetet për shënimin e 22 vjetorit të “Epopesë së Korrikut 1998” kanë nisur  me homazhe dhe nderim për të rënët te Muri i Pikëllimit dhe vendrëniet e dëshmorëve: Abdullah Bugari dhe Gëzim Hamza-Piktori , dhe kanë vazhduar vendosjen e pllakave në shtëpitë bazë të UÇK-ës në fshatrat: Drenoc, Dejnë, Ratkoc.

“ Sot është 22-vjetori i përkujtimit të ngjarjeve të pashlyeshme nga kujtesa jonë. Data 18 korrik 1998 nuk është e zakonshme, jo vetëm për faktin se ishim në luftë, por më shumë, për përmasat dramatike të zhvillimeve që i përjetuam në ato ditë të nxehta korriku. Me 17 korrik 1998, forcat e UÇK-së u futën në qytetin e Rahovecit.
Pati luftime të ashpra me forcat pushtuese serbe. UÇK-ja mori përsipër edhe një barrë tjetër, akoma më të rëndë. Në mbështetje të këtij hapi të hedhur nga UÇK-ja, u desht të gjejmë rrugë, mënyra dhe të dalim me pozicione të reja, duke u përshtatur me situatën e re të krijuar pas hyrjes së njësiteve të UÇK-së në Rahovec. Në rrjedhën e këtyre zhvillimeve, në mëngjesin e hershëm, njësitet e UÇK-së u pozicionuan në Fortesë (Bellacërkë) në të dy anët e rrugës kryesore (istikamet emergjente të kryera gjatë natës në Kodrat e Fortesës e në pjesë të tjera), që lidh Xërxën me Rahovec, si dhe ato në brendi të fshatit, nën rrugë.
Atë ditë pati luftime dhe rezistenca bëhej me qëllim të parandalimit të mësymjes së forcave ushtarake serbe, që synonin të futeshin në Rahovecin e ‘çliruar’ nga UÇK-ja. Ishte përballja e parë serioze në një arenë të gjerë lufte. Lufta ishte e ashpër dhe e pabarabartë. Forcat serbe angazhuan edhe ushtrinë me tanke e artileri të rëndë.

Kjo ngjarje mbetet në histori, si luftë urbane dhe përpjekje për çlirim të vendeve urbane, por çmimi I kësaj përpjekjeje ishte i lartë. Është gjaku i Gani Paçarizit (udhëheqës i Policisë Ushtarake, luftëtar dhe veprimtar i hershëm i LPRK-së), i Agim Kelmendit, veprimtar i dëshmuar i LKÇK- së dhe luftëtar i sprovuar i UÇK-së, Tafil Zyberajt, luftëtarit të lirisë, të orëve të para, që me akte heroizmi i dhanë vulën kësaj dite të vështirë të luftës në këtë anë.
Liria jonë i ka rrënjët në gjakun e atyre që u flijuan në këtë betejë dhe në përballjet e tjera me armikun shekullor. Me 18 korrik 1998, u plagosën rëndë e më lehtë luftëtarët: Isuf Gashi nga Drenoci, Halim Kelmendi, unë (S.L), etj…
Poashtu, u zunë rob luftëtarët Vehbi Muharremi nga Drenoci, Isak Hoti, Nisret Hoti dhe Sokol Morina nga Ratkoci.

“Epopeja e Fortesës” padyshim se ka peshën e madhe nē terësinë e zhvillimeve dhe aktiviteteve luftarake, që nisën me 17 korrik 1998 dhe vazhduan me luftimet e shumta në qytet, duke u përjetësuar ato përmes rënieve heroike të trimave tanë, si: Gëzim Hamza – Piktori, Avdulla Bugari, Agim Qelaj, Gëzim Mullabazi, Samir Nurkasa, Xhafer Nurkasa, Xhevat Kasapi, Faik Rama, Bajram Veliu, Remzi Ukshini nga Rahoveci, Sadik Shala, Afrim Krasniqi, Ramadan Morina, Ruzhdi Xhyliqi, Hamdi Berisha, Habib Berisha, Liman Gegaj, Mizahir Isma, Bekim Isma, Eshrefedin Kastrati dhe Arian Ibrahimi-SHKODRANI si dhe u plagos rëndë luftëtari Fatmir Isma, në vendin e pagëzuar për nder të luftëtarit trim nga Shkodra-Maja e Shkodranit.

Me të drejtë themi se, “Epopeja e Fortesës”, për gati 30 orë e vonoi depërtimin e forcave serbe në qytet, falë rezistencës dhe heroizmit të djemve të UÇK-së.
Dihet se në këtë kohë u zhvilluan luftime dramatike dhe të përgjakshme në këtë zonë, në Fortesë e Rahovec. Si pasojë e tyre, patëm dhjetra luftëtarë që u flijuan, shumë prej tyre u plagosën e u vranë.
Mirëpo, në anën tjetër, dihet se, pati humbje të pamohueshme edhe nga radhët e armiqve tanë, të cilët edhe vetë ata i pranojnë.

UÇK- ja, edhe pse u dëmtua shumë nga ky operacion i rëndë i kryer prej forcave serbe, përsëri ri-morri vehten dhe vazhdoi luftën për liri.

Luftimet e përgjakshme të korrikut janë edhe një dëshmi e fortë e përpjekjes, kontributit dhe angazhimit, rolit dhe peshës, të sakrificës së jashtëzakonshme dhe vlerave që pati e ka Rahoveci me rrethinë. Të gjitha këto dëshmi flasin edhe për shpirtin e madh, bujar dhe liridashës që kanë qytetarët tanë.

Luftimet e përgjakshme të korrikut janë edhe një dëshmi e fortë e përpjekjes, kontributit dhe angazhimit, rolit dhe peshës, sakrificës së pashoqe dhe vlerave që pati e ka Rahoveci me rrethinë, e cila flet edhe për shpirtin e madh, bujar dhe liridashës që kanë qytetarët tanë ”, ka thënë ndër të tjera kryetari Latifi.

Aktivitetet kanë vazhduar me 20 Korrik me vendosjen e pllakave në shtëpitë bazë të UÇK-ës në fshatin Zoqisht dhe Hoçë e Vogël, kurse me 21 Korrik u bënë homazhe  te shtatorja e Shejh Myhedin Shehut duke vazhduar te kompleksi përkujtimor ‘’Maja e Shkodranit’’, aktivitete kanë përfunduar me 25 Korrik me vendosjen e pllakave përkujtimore në vendrëniet e dëshmorëve në Pashtrik:  dëshmorit Shkelzen Krasniqi nga fshati Hoçë e Vogël dhe dëshmorit Jah Hoti nga fshati Ratkoc.

Zyra për Marrëdhënie me Publikun