Republika e Kosoves

Shtime

23 VJET NGA MASAKRA E REÇAKUT, KRERËT E INSTITUCIONEVE E SHËNOJNË DITËN E 15 JANARIT ME HOMAZHE DHE AKADEMI PËRKUJTIMORE

2022/01/15 - 1:04

Reçak, 15 janar 2022 – Me kërkesë të kryetarit të komunës së Shtimes, Qemajl Aliu për herë të parë pas 22 vitesh është organizuar përvjetori i Masakrës së Reçakut nga tri institucionet kryesore të shtetit, Presidetja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari. Në 23 vjetorin e Masakrës së Reçakut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarin e komunës së Shtimes, Qemajl Aliu bënë homazhe dhe vunë kurorë lulesh të freskëta në Kompleksin Përkujtimor të Reçakut, ku janë varrosur trupat e 42 viktimave të masakrës së kryer nga forcat serbe të sigurisë, më 15 janar 1999.
Pas homazheve, të tre udhëheqësit shtetërorë, së bashku me kryetarin Aliu të shoqëruar nga i mbijetuari i masakrës së Reçakut, Ramë Shabani dhe dëshmitari Metush Ramadani, ecën deri tek vendi i krimit, në lugun e quajtur Kodra e Bebushit.
Aty dëgjuan rrëfimin e të mbijetuarit Ramë Shabani, i cili ishte 33-vjeçar, kur më 15 janar 1999 forcat serbe të sigurisë ia vranë vëllain 22 vjeçar dhe 11 të afërm të tij.
Në këtë ceremoni përkujtimore të organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, fjalën mbajtën presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemail Aliu, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier dhe Nazif Shabani, i biri i Ramë Shabanit, i mbijetuar i Masakrës së Reçakut.
Ndërsa ambasadori amerikan William Walker, i cili në janar të vitit 1999 udhëheqte misionin e vëzhguesve të OSBE-së, ia kishte zbuluar dhe identifikuar bashkësisë ndërkombëtare krimin e forcave policore serbe në Reçak, iu drejtua të pranishmëve në ceremoninë përkujtimore nëpërmjet një video mesazhi, në pamundësi për të qenë fizikisht prezent shkaku i pandemisë.
Fjalimi i kryetarit të komunës së Shtimes, Qemajl Aliu:
Më 15 janar të vitit 1999 unë isha 15 vjeç dhe banoja rreth 1 km larg Reçakut. U zgjuam herët nga të shtënat e armëve atë mëngjes. Nga dreka morrëm vesh se forcat policore dhe ushtarake serbe kishin vrarë burrin e kushërirës time Bajramin dhe vajzën e saj të re Hanumshahen.
Kuptuam se atë ditë ishin vrarë e masakruar 42 burra, gra e fëmijë nga fshati Reçak, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë.
26 ditë pas masakrës, mes shumë kundërshtimeve dhe kërcënimeve nga autoritet e kriminalizuara serbe që donin ta fshihnin krimin, trupat më në fund u kthyen.
Mbaj mend se në ceremoninë e varrimit morën pjesë me mijëra njerëz edhe pse ishte acar i madh dhe ishim të rrethuar gjithandej nga tytat e armëve të ushtrisë e policisë serbe.
Varret i hapëm kushdo që mundem duke i kaluar lopatat dorë më dorë, duke i varrosur sipas traditës, për ta ndarë dhimbjen me njëri-tjetrin, me familjarët e të gjithë viktimave, me një popull të tërë … dhe për t’i dhënë të afërmve tanë një lamtumirë dinjitoze.
Ne kurrë nuk do i harrojmë.
Të nderuara shkëlqesi,
Presidente Osmani-Sadriu,
Kryeministër Kurti,
Kryeparlamentar Konjufca,
Ambasador Hovenier,
Të dashur familjarë të martirëve dhe dëshmorëve të Reçakut,
Të nderuar ish Eprorë te UÇK-së
Të nderuar mysafirë,
Më lejoni që në emër të Komunës së Shtimes t’ju uroj mirëseardhjen në akademinë përkujtimore që shënon 23 vjetorin e masakrës së Reçakut.
Askush nuk u gjykua për këtë masakër. Ende nuk u vendos kurrfarë drejtësie!
Në historinë e gjatë të çlirimit të Kosovës nga okupimi dhe kolonizimi serb, masakra e Reçakut zë një vend specifik.
Përmes ambasadorit amerikan William Walker, i cili në ate kohë e udhëhoqi Misionin e Verifikimit, bota e kuptoi se Serbia po kryente krime kundër njerëzimit. Masakra të tjera që ndodhën para dhe pas Reçakut, deri më 12 qershor, përbëjnë aktet e gjenocidit të fundit të Serbisë në Kosovë.
Masakra e Reçakut ishte ajo që ndërgjegjësoi komunitetin ndërkombëtar. Pas dështimit të bisedimeve të Rambujesë pasoi bombardimi i NATO-s. Lufta e lavdishme e UÇK-së dhe ndihma e miqve tanë ndërkombëtarë, e mbi të gjitha e ShBA-ve, rezultuan me çlirimin e Kosovës.
Lavdi dëshmorëve e martirevë të Reçakut!
Lavdi të gjithë dëshmorëve e të flijuarëve për lirinë e kombit!, përfundon fjalimin kryetari i Shtimes, Aliu.
Fjalimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu:
I nderuar kryetar i Kuvendit, z.Konjufca
I nderuar kryeministër, z. Kurti
Të nderuar përfaqësues të qeverisë së Kosovës,
Ish-president,
I nderuar ambasador Hovenier dhe ambasador Szunyog,
I nderuar kryetar Aliu
Të nderuara familje të viktimave të masakrës së Reçakut
Shumë të nderuar të gjithë ju të pranishëm
Njëzetë e tre vjet më parë, jo shumë larg nga vendi ku sot të gjithë bënë nderimet e tyre, bota u lemeritë dhe e kuptoi përfundimisht nga pamjet makabre të masakrës së Reçakut krimin që ndodhi mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare. Civilëve duarthatë, mëngjesin e ditës së kobshme iu shua jeta mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit.
Atë ditë, Kodra e Bebushit, siç njihet nga banorët lokal ishte pasqyrim i krimit kundër njerëzimit, pasqyrim i krimit kundër shqiptarëve, pasqyrim i qëllimit shfarosës e gjenocidal të regjimit të Millosheviqit, ishte pasqyrim i masakrave ndaj njerëzve të cilët ndodheshin në shtëpitë e tyre dhe të cilët u përballën me egërsinë e forcave policore e ushtarake serbe.
Përgjatë dhjetë orëve të sulmit, të vrarë pati edhe në pjesë të tjera të fshatit, prandaj me të drejtë edhe shefi i atëhershëm i verifikuesve të OSBE-së, Wiliam Walker, nga ajo që pa në vendngjajre, pa hezitim, siç kishte deklaruar vetë atëbotë, aktin e cilësoi si një masakër të tmerrshme dhe krim të rëndë kundër njerëzimit.
Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar prezent në vendngjarje ishin vula e dëshmisë së këtij akti makabër dhe njëherë dëshmitarët më autentik krahas edhe të mbijetuarve të krimit, pra dëshmitarë të barbarisë së pushtetit të Millosheviqit, i cili kishte për qëllim shfarosjen e shqiptarëve, dhe këtë e bënte para syve të të gjithë botës.
Tendencat për ta mohuar masakrën e Reçakut, janë përpjekje e qartë për rehabilitimin e atyre që kanë kryer krimin. Por propaganda asnjëherë nuk mund t`i ndryshojë faktet historike. E sidomos jo një të vërtetë që ka ndodhur para syve të të gjithë botës. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit, por edhe shpërfaqje e qëllimit të Serbisë së atëhershme për të zhdukur shqiptarët nga faqja e dheut, e Reçaku është njëra ndër masakrat e shumta të tmerrshme ku u dëshmua ky qëllim.
Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është përsëritje e krimit. Por e vërteta për Reçakun është shumë më e fuqishme se çfarëdo propagande nga bashkëpunëtorët e afërt të regjimit të Millosheviqit.
Historia e dokumentuar nuk mund të ndryshohet dhe as nuk është subjekt i interpretimit. Ndaj një krimi siç ishte masakra e Reçakut, propaganduesit duhet të ndjejnë keqardhje, e në të njëjtën kohë edhe të kërkojnë falje e të sjellin drejtësi!
Në kompleksin e varreve që vizituam sot, vetëm një varr është ende bosh, si dëshmia më e qartë e krimit të 15 shkurtit të vitit 1999. Saga ende nuk ka marrë fund për familjen Metushi. Fati i nënës së tyre Sahides rri pezull mbi lirinë e tyre, por edhe lirinë tonë. Në kërkim të saj, ata nuk reshtën prej ditës së trishtë, porse asnjë lajm deri më sot. Madje, asnjë lajm edhe për mbi 1600 të zhdukur të tjerë me dhunë nga lufta e fundit, të cilët janë përkushtim i yni i çdoditshëm dhe pa të cilët liria jonë gjithnjë do të mbetet e papërmbushur.
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar familjarë,
Të nderuar ambasadorë që jeni prezent,
Përfaqësues të institucioneve,
Secili prej këtyre varreve ka një histori tmerri. Secili varr dëshmon gjithçka. Të gjitha këto varre bashkë përbëjnë një dëshmi të argumentuar, të pakontestuar dhe të dokumentuar.
“Ishte një akt i qëllimshëm dhe joselektiv i vrasjeve, i bërë për të krijuar frikë në mesin e popullit të Kosovës”, pati deklaruar atëherë presidenti i SHBA-së, Bill Clinton.
Kjo masakër shënoi kthesën më të rëndësishme të periudhës së luftës në Kosovë, ngase diplomacia botërore intensifikoi përpjekjet për ndalimin e barbarisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Në të njëjtën kohë intensifikoi edhe përpjekjet e vajzave e djemve të UÇK-së për lirinë e vendit tonë.
Pamjet nga Reçaku prekën jo vetëm ndërgjegjen e njerëzve të zakonshëm kudo në glob, por edhe atë të diplomacisë botërore.
Afro dy muaj më pas, NATO-ja nisi fushatën e sulmeve ajrore ndaj caqeve ushtarake të Serbisë duke e detyruar njëherë e përgjithmonë largimin e saj nga Kosova që nga 24 marsi 1999.
Sot Reçaku dhe Kosova janë të lirë falë angazhimit dhe sakrificës së popullit të Kosovës, si dhe falë ndihmës së aleatëve tanë të përhershëm nga bota demokratike.
Duke i përkujtuar çdo vit viktimat e Masakrës së Reçakut, si dhe të gjitha viktimat e masakrave anekënd Kosovës ne e kujtojmë e rithemi të vërtetën, e asgjë pos të vërtetës, të cilën duhet ta themi këtu, por edhe kudo tjetër në botë.
Nëse dikur luftuam për lirinë tonë, sot duhet të luftojmë për kujtesë kundër harresës, duke shikuar gjithnjë kah e ardhmja.
Do të kthehemi çdoherë në Reçak, do ta themi me zë të lartë se këtu u dëshmua se krimet kundër civilëve shqiptarë janë ato që tregojnë qëllimin shfarosës të regjimit të atëhershëm të Serbisë, dhe duke kërkuar që drejtësia, e jo mohimi i krimeve të jenë kryefjala e veprimeve të secilit.
Të vërtetën për Reçakun do ta bartim tutje, do ta themi me zë të lartë, sepse në çdo cep të globit duhet të dëgjohet ajo. Nuk do të lejojmë asnjëherë që të vërtetën ta mbulojë pluhuri i historisë apo tendencat për ndryshim të historisë, dhe nuk do ta lejojmë që ajo të përsëritet, jo vetëm në Kosovë, por duke qenë edhe vet dëshmitarë dhe viktima të regjimit të gjenocidit, do ta ngrisim zërin kundër gjenocidit, kundër krimeve kundër njerëzimit, e kundër krimeve të luftës gjithandej nëpër botë.
Reçaku është dhimbja jonë e përhershme dhe është nevoja për ta ruajtur paqen dhe dinjitetin njerëzor. Ky vend paraqet edhe fillimin e fundit të përpjekjeve të regjimit serb për shfarosjen e shqiptarëve. Reçaku është njëri nga vendet prej ku filloi të marrë formë liria jonë.
Prandaj, sot nga ky vend, përulemi para të gjitha viktimave civile, nderojmë kujtimin për ta, për të gjithë martirët e për të gjithë dëshmorët, bashkëndjejmë me familjet dhe e rithemi zëshëm të vërtetën e vetme, se populli i Kosovës ishte viktimë e një regjimi gjenocidal që është akoma në pritje të drejtësisë!
Sot, së bashku me udhëheqësit e institucioneve vizituam vendin e ngjarjes, Kodrën e Bebushit. Vendin ku ishin masakruar të gjithë këta civilë, dhe nga aty dëgjuam rrëfimet e tmerrit të atyre pak të mbijetuarve. Nga asnjëri prej tyre asnjëherë nuk mund të dëgjoni kërkesë për hakmarrje, vetëm kërkesë për drejtësi. Drejtësia është e vetmja që gjithnjë do të kërkojmë.
Qoftë i paharruar kujtimi për të gjithë të rënët në Reçak!, përfundon fjalimin presidentja Osmani-Sadriu.
Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
I nderuari ambasador i ShBA-së në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier,
I nderuari ambasador i BE-së, z. Tomáš Szunyog,
I nderuari ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Abbott,
I nderuari zëvendës ambasador i Italisë në Kosovë, z. Ugo Ferrero,
I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë, z. Qemal Minxhozi,
I nderuar Kryetar i Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu,
I nderuari Kryetar i fshatit Reçak, z. Adem Ramadani,
I dashuri Ramë, i mbijetuari i masakrës së Reçakut,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë,
Të dashur familjarë të dëshmorëve e të martirëve,
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,
Kujtesa jonë është e prekur përjetësisht sepse pamjet na e dhanë të gjallë tmerrin e tyre, tmerrin që kanë jetuar njerëzit tuaj, njerëzit tanë. Nëse nuk tronditemi sot, diçka nuk shkon mirë në ndërgjegjet tona.
Me 15 janar të vitit 1999, Reçaku në orët e hershme të mëngjesit u gjet i rrethuar nga policia speciale, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Atë ditë ato vranë 45 civilë të paarmatosur e të pafajshëm, mes tyre edhe gra e fëmijë. Jehona e aktit të gjenocidit që ndodhi te “Pishat”, “Gështënjat”, “Rrasa e Çallakut” dhe “Çesta” përmbi Reçak kumboi në gjithë botën. Lajmi i krimit që ndodhi te shtëpia e Sadik Osmanit dhe “Kodra e Bebushit” mbërriti në çdo cep të botës.
Historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun. Njësoj qysh nuk mund të shkruhet pa Prekazin, Mejën, Krushën e Madhe e Krushën e Vogël, Dubravën, Poklekun, Rezallën, Izbicën, Gjakovën, Qyshkun, Lybeniqin, Pastaselin, Arbrinë e Epërme, Qirezin e Likoshanin e shumë vende të tjera të Kosovës që ishin viktima të mbi 400 masakrave gjatë luftës së fundit të viteve ’98 e ‘99, dëshmi këto të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Fushata të tilla të vrasjeve masive, të ushtrimit të mizorive tmerruese ndaj civilëve sikurse në Reçak, kishin ndodhur dhe do të vazhdonin nëpër komuna dhe rajone anembanë Kosovës, duke konfirmuar që Jugosllavia e tretë, ajo e Millosheviqit, jo vetëm që e donte Kosovën pa shqiptarë, por po e zbatonte me forca të armatosura aktivisht këtë intencë të saj.
Unë, sa herë që vij në Reçak, ndjej përulje ndaj fshatarëve të Reçakut. Atë që e ka dokumentuar Human Rights Watch, KMDLNj, Fondi për të Drejtën Humanitare, është më së miri e rrëfyer në dhimbjen dhe traumën e fshatarëve të Reçakut dhe familjarëve të viktimave. Kjo histori nuk mund të harrohet dhe as të rishkruhet.
Vrasja e qëllimshme në formë të ekzekutimit arbitrar të personave civilë nga forcat e armatosura të shtetit serb, ishte forma më e zakonshme dhe më e shpeshtë e vrasjeve sipas mënyrës së ekzekutimit në vend nga afërsia e drejtpërdrejtë, të grupeve të personave civilë të pambrojtur pa dallim.
Kjo masakër e zbuluar dhe e identifikuar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, nga udhëheqësi i misionit të vëzhguesve të OSBE-së, ambasadori William Walker dhe përfaqësues të mediave ndërkombëtare bëri që qeveria e atëhershme jugosllave, më 18 janar 1999, ta shpallë William Walkerin persona non grata.
William Walker e pat cilësuar masakrën e Reçakut si “mizori e papërshkrueshme” (“unspeakable atrocity”) dhe si “krim i madh kundër njerëzimit” (“crime very much against humanity”), e që u dënua ashpër nga qeveritë e vendeve demokratike perëndimore dhe nga vetë Këshilli i Sigurimit të OKB.
Në 23 shkurt 1999, presidentja e Gjykatës Penale për ish Jugosllavinë i shkruante ministrave të jashtëm britanik e francez, z. Robin Cookut dhe z. Hubert Vedrineit: “Nuk duhet të sakrifikohen parimet mbi të cilët është themeluar Gjykata për hir të interesave politike afatshkurtër”. Ajo shprehej: “Nuk ka paqe pa drejtësi”.
Në gjendjen e rëndë planetare, qoftë në rendin politik, në kontratën shoqërore dhe natyrore, në bumin teknologjik të shkëmbimit dhe komunikimit, ne shohim se si grumbullohen rezultatet e dorëlëshimeve të demokracive dhe vetëkënaqësive të kancelerive. Por vjen një ditë kur përballë spektaklit të përgjithësuar të dhunës dhe problemeve të gjithskajshme vrasja duhet të marrë përmasat e gjenocidit, të marrë formën e masakrës, që ajo të mund të zgjojë vëmendjen publike. Vetëm si masakër çështja e fiton dinjitetin mediatik, vetëm atëherë viktima e një dhune të caktuar mund të mbërrijë e të çajë drejt një publiku që ka diçka në dorë. Duhet të shtohet aty edhe vëmendja dhe ndjeshmëria e disa personaliteteve diplomatike që mund të ngrenë zërin. Duhet edhe imazhi, edhe kamerat. Duheshin pra një mori faktorësh për të sjellur masakrën në skenën e gjithanshme publike.
Sa masakra janë kryer nga aparati shtetëror dhe parashtetëror serb në Bosnjë e Kosovë, të cilat nuk kanë patur favorin e këtyre faktorëve. Masakra që i ka mbuluar varri dhe heshtja në skenën e madhe publike. Por mbeten dëshmi vatrat e zbrazura, dheu i mbuluar nga radhët e varreve dhe dhimbja në shpirtra.
Duhej pra një Reçak që NATO dhe Perëndimi të kuptonin se kur kasaphana nuk ndalet, ajo mund të kthehet në normalitet. Pikërisht këtë Reçak e mohon sot Serbia. Sepse Reçaku nuk është vetëm një masakër, por edhe një datë vendimtare në shekullin tonë. Është data që shtyn një reagim ushtarak kolektiv dhe një kolektiv ndërgjegjesh politike, intelektuale, mediatike të marrin qëndrim dhe ta cilësojnë një sjellje ushtarake shtetërore si të papranueshme. Nuk vonoi shumë pas këtij akti gjenocidal në Reçak, dhe avionët e NATO-s bombarduan Jugosllavinë e Millosheviqit. Pra, ishte pikërisht një masakër e tillë që e vuri në lëvizje fuqinë më të madhe ushtarake në historinë e njerëzimit në mbrojtje të popullit tonë e kundër një shteti që projektonte shfarosjen e shqiptarëve.
Masakrat mbi popullin tonë po zgjonin, falë vetëdijes sonë, një ritëm tjetër të kuptimit të së drejtës.
Prandaj, të mohosh krimet gjenocidale që i ka faktuar dhe dënuar një botë e tërë dhe të përsëritësh vazhdimisht si kërcënim mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës martire, do të thotë të qëllosh edhe të rënët e pavdekshëm edhe të gjallët e mbijetuar, do të thotë të shënjestrosh edhe ëndrrat dhe idealet e brezave të ri që vijnë.
Mohimi i gjenocidit përpiqet të riformësojë historinë në mënyrë që të demonizojë viktimat dhe të rehabilitojë autorët. Mohimi i gjenocidit është faza e fundit e gjenocidit. Është ajo që Elie Wiesel e ka quajtur një “vrasje e dyfishtë”. Mohimi vret dinjitetin e të mbijetuarve dhe kërkon të shkatërrojë kujtimin e krimit. Në një shekull të rrënuar nga gjenocidi, ne pohojmë domosdoshmërinë morale të kujtimit.
Ne jemi kundër hakmarrjes. Ne duam drejtësi. Dhe, ne refuzojmë të harrojmë.
Lavdi të rënëve!
Ju faleminderit të gjithëve, përfundon fjalimin kryeministri Kurti.
Fjalimi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier:
Presidente Osmani, kryeministër Kurti, kryetar i Kuvendit, Konjufca, mysafirë të nderuar, të dashur miq, ndjehem i përulur që jam sot këtu, si përfaqësues i popullit amerikan, për të nderuar dhe përkujtuar ata që humbën jetën këtu në Reçak 23 vjet më parë.
Ju faleminderit për mundësinë për t’ju bashkuar popullit të Kosovës në këtë ngjarje solemne për të përkujtuar dhe vajtuar ata njerëz, jeta e të cilëve u ndërpre tragjikisht atë ditë.
Askush të mos harrojë ose mohojë se çka ndodhi këtu ose përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë u ngritën në mbrojtje të popullit të Kosovës.
E mbaj mend atë ditë mirë. Si zyrtar në misionin e SHBA-së në OSBE, përgjegjës për Kosovën, mora një thirrje nga ambasadori Uilliam Uolker, shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të Kosovës, i cili sapo ishte larguar nga skena e tmerrit, tashmë i përqendruar në rekomandimet e tij për OSBE-në si përgjigje për vrasjen brutale të civilëve të pambrojtur.
Në përgjigje të kësaj mizorie dhe të tjerave, Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët tanë të NATO-s, vepruan për të mbrojtur civilët e pambrojtur në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit.
Këto qëllime i pasqyrojnë thellësisht vlerat amerikane dhe perëndimore. Ne besojmë që të gjithë popujt, pa dallim etnie apo feje, meritojnë dinjitetin për të jetuar në liri dhe siguri.
Jemi të vetëdijshëm për përpjekjet për të rishkruar historinë e dokumentuar mirë të kësaj masakre dhe për të minimizuar ose keqinterpretuar faktet rreth këtyre mizorive.
Më lejoni të jem i qartë për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj të vërtetës. Siç ka thënë presidenti Klinton atëherë, e që e vërtetojmë sërish tani: „Ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës”.
Mohimi i këtyre ngjarjeve dhe lartësimi i krimeve të luftës çnderon kujtimin e të vdekurve, rihap plagët e të mbijetuarve dhe e kthen këtë rajon prapa në përpjekjet drejt konsolidimit demokratik dhe integrimit të plotë euroatlantik.
Paqja dhe drejtësia vijnë nga pranimi i qartë i krimeve të së kaluarës. Kjo është jetike për të siguruar që krime të tilla mizore nuk ndodhin më kurrë.
Por, pranimi i të vërtetës së të kaluarës është vetëm hapi i parë kah drejtësia.
Sot, më 15 janar është përvjetori i 23-të i masakrës së Reçakut. Rastësisht, sot është edhe ditëlindja e një prej liderëve dhe avokuesve më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për drejtësi dhe pajtim – Dr. Martin Luther Kingut.
Mendoj se është me vend që në këtë ditë, ndërsa reflektojmë mbi tmerrin dhe tragjedinë e asaj që ndodhi këtu më 15 janar 1999, të marrim parasysh edhe fjalët dhe trashëgiminë e Dr. King – të cilin e nderojmë dhe e përkujtojmë çdo vit në këtë ditë.
Padrejtësia, e as humbja, nuk ishin të panjohura për Dr. Kingun. Gjatë tërë përpjekjes së tij për avancimin e të drejtave të njeriut, ai u sulmua fizikisht, u margjinalizua, u kërcënua dhe në fund u vra.
Megjithatë, edhe përderisa lëngonte në një burg në Alabama për protesta paqësore kundër racizmit dhe ndarjes racore, ai shkroi për drejtësinë dhe pajtimin – me qëllimin përfundimtar jo vetëm barazinë, por fatin e përbashkët.
Në të famshmen „Letër nga burgu i Birmingamit” ai i shkroi fjalët mbresëlënëse: „Padrejtësia diku është kërcënim për drejtësinë kudo”.
Dr. Kingu na bëri thirrje për veprim, duke vërtetuar se ne e kemi fuqinë për të promovuar ndryshim pozitiv duke thënë: „Përparimi i njerëzimit kurrë nuk rrokulliset në rrotat e pashmangshmërisë”.
Por, ai gjithashtu na bëri thirrje që të mbajmë në mend më kryesoren: jo hakmarrjen, por pajtimin. I përsëris fjalët e tij, përkujtim i fuqishëm për të gjithë ne: „Qëllimi ynë përfundimtar duhet të jetë krijimi i komunitetit të dashur”.
Në frymën e këtij vizioni për një komunitet të dashur, dëshiroj të citoj edhe një tekst të fuqishëm që besoj mund të shërbejë si kuadër për mënyrën se si t’i nderojmë më së miri viktimat tragjike që po i përkujtojmë sot.
Nga Deklarata e Pavarësisë së Kosovës të 17 shkurtit 2008:
„Të zotuar për tu përballur me trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes. Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë”.
Le të na prijnë këto fjalë të gjithëve.
Ju faleminderit, përfundon fjalimin ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ndërkaq, Ish-shefi i Misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, ambasadori William Walker ka kujtuar viktimat e Reçakut 23 vjet më parë, duke thënë se çdo vit nga 1999, është rritur rëndësia për atë çfarë ka ndodhur në Reçak.
Në një video-mesazh në akademinë kushtuar masakrës në Reçak, Walker ka thënë se ai nuk do të harrojë kurrë atë që ndodhi 23 vjet më parë.
“Çdo vit nga 1999, është rritur rëndësia për atë që ka ndodhur në Reçak. Reçaku zë vend shumë të veçantë në zemrën time.
Gjatë viteve të fundit, çdo vit ceremoninë e 15 janarit është ndjekur me vëmendje së pari nga njerëzit nga Kosova dhe në fund nga e gjithë bota. Kjo është ajo që kam shpresuar.
Ajo në të kaluarën është përkujtuar nga njerëz nga Kosova, por jo edhe nga ambasadat, por kjo tani ka ndryshuar. Kurrë nuk do ta harroj se sa herë jam kthyer gjatë këtyre 22 vjetëve kam parë rimëkëmbjen e këtij vendi… Unë nuk do të harroj kurrë se çfarë do të thotë Reçaku”, tha Walker.
Në fund të ceremonies përkujtimore, ansambli i tunxhit të Filharmonisë së Kosovës interpretoi tri vepra muzikore në nderim të viktimave dhe dëshmorëve të Reçakut.
Pas homazheve në Kompleksin Përkujtimor të Reçakut dhe ceremonisë përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u bë hapja e ekspozitës kolektive me fotografi të masakrës së Reçakut, organizuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, në përkujtim të 23 vjetorit të Masakrës së Reçakut.
Presidenta e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjofca bashkë me kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu morën pjesë në hapje të ekspozitës së titulluar “Mos me harru”. I pranishëm ishte edhe Ramë Shabani, i mbijetuari i vetëm i Masakrës së Reçakut.
“Te Kodra e Bebushit e kanë goditur shumë herë shumë plumba por ka shpëtuar duke pasur shumë fat. Ishim bashkë sot në Reçak dhe jemi këtu në këtë ekspozitë të fotografive, të fotografëve tanë të mirënjohur, Hazir Rekës dhe Alban Bujarit por edhe të Nerxhivane Azizit, që ka qenë edhe ushtare e UÇK-së,” tha kryeministri Kurti.
Ai theksoi se rrëfimi i Ramës është tejet i veçantë, sepse ky është i mbijetuari i masakrës së Reçakut që e pati tronditur opinion publik mbarëkombëtar dhe ishte vendimtare për ndërhyrjen e NATO-s 68 ditë më vonë.
“Pra 68 ditë pas masakrës së Reçakut NATO-ja bombardon 78 ditë dhe ne çlirohemi si popull e si vend. Rama është dëshmitar i gjallë i asaj masakre mizore”, theksoi ai.
Kryeministri Kurti i falënderoi tre fotografët që kanë dhënë kontribut të madh në kushte tejet të vështira. “Këta janë fotografë të cilët po ashtu kanë pasur fat mbase, meqenëse në shumë zona të luftës kanë mundur kollaj të vriten nga forcat e Serbisë”, tha ai.
“Edhe ne i kemi kujtimet e freskëta nga 15 janari 1999, me një dimër të acartë, mirëpo kur i sheh njeriu këto fotografi e kupton përmasën e tmerrshme të kësaj masakre mizore të Serbisë që është dëshmi e gjenocidit të saj në Kosovë”, tha kryeministri.
Ekspozita me kurator Hazir Rekën, do të qëndrojë e hapur për 7 ditë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.