Republika e Kosoves

Shtime

7 MARSI, DITA E MËSUESIT SHËNOHET NË SHTIME

2023/03/09 - 3:31

Shtime, 7 mars 2023 – Institucionet arsimore të komunës së Shtimes, sot kanë shënuar me aktivitete të ndryshme 7 Marsin – Ditën e Mësuesit.
Me këtë rast, Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) ka organizuar një ceremoni festive kushtuar 7 Marsit – Ditës së Mësuesit.
Në këtë manifestim, drejtoresha e Arsimit, Yllka Fejzullahu ku mes të tjerash u shpreh se; “Kam nderin e privilegjin e veçantë që si drejtoreshë e re e arsimit, të jem sot në mesin tuaj, për ta shënuar bashkarisht e denjësisht 7 Marsin- Ditën e Mësuesit.
Të gjithë i njohim fillet e arsimit shqip, kur me 7 Mars 1887, në Korçë u hap shkolla e parë shqipe. Në këtë ditë, me ndërtimin e mësonjëtores së parë shqipe u vendos bazamenti më i qëndrueshëm i arsimit shqiptar.
Në këtë ceremoni, 3 kategoritë që do tu ndajmë mirënjohje, dua t’i falenderoj veçanarisht. Falenderoj veteranët e arsimit për punën e tyre të palodhshme dhe trashëgiminë e pasur arsimore.
Falenderoj Mësimdhënësit e dalluar, të cilët duhet të vazhdojnë punën me zellin e njejtë dhe të bëhen model që duhet ndjekur.
Ndërsa Mësuesit e ndjerë, i përkujtoj dhe nderoj, me respekt e përulësi.”
Me një fjalë të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i kumunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i cili ndër të tjera tha: “Siç dihet mirëfilli, 7 Marsi – Dita e Mësuesit, shënohet si një ngjarje me rëndësi kulturore në gjithë hapësirat shqiptare, ndërsa në Kosovë për herë të parë ka filluar të kremtohet publikisht, vetëm pas viteve të ’90-ta, ku mësuesit dhe shkollat shprehën gëzimin e tyre për një datë të shënuar që festohej prej katër dekadave në Shqipëri, kurse mësuesit e Kosoves para nxënësve të tyre nuk kanë pasur mundësi të flasin haptas, ngase regjimi komunist serb i kishte rrënjët edhe në shkollat shqipe. Por edhe pse regjimi serb i Millosheviqit mbylli shkollat ato e vazhduan mësimin, ku populli hapi dyert e shtëpive të veta që fëmijët të mësonin gjuhën shqipe. Shumë mësues u dënuan dhe u gjykuan nga regjimi totalitar serb, por asgjë nuk e ndalte në rrugën e diturisë e të arsimit. Arsimi në komunën e Shtimes i dha shumë mësues luftës për lirinë e Kosovës. Pra, sot në këtë datë, shpreh respektin dhe mirenjohjen për të gjithë mesuesit, të cilët sakrifikuan, arsimuan, edukuan dhe nxorrën gjenerata, të cilat jo vetëm se u bënë pishtarë të arsimit, por edhe luftëtarë të flaktë për Liri dhe Pavarësi të popullit shqiptar në Republikën e Kosovës dhe kudo në trevat shqiptare”.
Me rastin e Ditës së Mësuesit, sot DKA ka dhënë mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar, mirënjohje post-mortem për mësimdhënsit e ndjerë dhe mirënjohje për veteranët e arsimit.
Ceremonia festive u përmbyll me një koktej rasti të përgatitur nga DKA.