Republika e Kosoves

Shtime

INAUGUROHET MONUMENTI I USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS (UÇK) NË PJETËRSHTICË TË SHTIMES

2021/03/07 - 8:19

Shtime, 7 mars 2021 – Kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli, nënkryetari Rrahman Jakupi, bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, drejtorë të Institucioneve si dhe qytetarë të shumtë morën pjesë në ceremoninë e përurimit të monumentit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në fshatin Pjetërshticë të komunës së Shtimes.
Kryetari Ismajli në fjalën e tij të rastit, shkoqiti aspekte të veprimtarisë atdhetare të UÇK-së në këtë fshat, si në nxitjen, organizimin, udhëheqjen në fillet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Pjetërshticë.
“Është një ditë e cila na kujton historinë e lavdishme të UÇK-së duke bërë këtë përurim të këtij monumenti, dhe secili nga ne këtu kemi kujtesën në të kaluarën tonë të luftës së fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kjo do të lidhet me kontributin e fshatit të juaj që me këtë rast i ndaj mirënjohje dhe falënderim të veçantë Iniciativës Vullnetare të fshatit Pjetërshticë, mbështetur nga “Batalioni i II Ruzhdi Salihu”, për një angazhim të vazhdueshëm dhe një aktivizim qytetarë, por në këtë rast me këtë ngritje të këtij monumenti, i them Iniciativës së keni bërë një vepër e cila do t’i qëndroj gjithmonë palëkundur historisë sonë.
Sa herë që ngremë këto monumente gjithmonë vendosim një histori e cila do të bartet gjeneratë pas gjenerate për të treguar se sa e shtrenjtë ka qenë liria, për liri dhe për këto tri shkronja që janë këtu para jush është derdh shumë gjak. Shumë plagë të invalidëve të luftës, shumë sakrificë e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjersa sot në këto momente kur po përurojmë nuk mund në asnjë mënyrë të harrojmë pa i kujtuar djemtë e vajzat më të mirë të cilët dje ishin në ballë të UÇK-së e sot disa nga ta po mbahen padrejtësisht në Hagë, që janë atje edhe njëherë për të vërtetuar atë që është vërtetuar që 21 vite se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë luftë e pastër, sublime dhe luftë çlirimtare. E dimë se ata djem do ta dëshmojnë dhe së shpejti do të kthehen faqebardhë në shtëpitë e tyre.
Obligimi ynë gjithmonë mbetet që të kujtojmë dhe të flasim me zë e me krenarinë më të madhe se Ushtria Çlirimtare dhe lufta e saj janë ato të cilat janë themeli i shtetit dhe në cilëndo furtunë që do përballet Kosova jonë këto do të jenë ato të parat që do të përballen e do ta mbrojnë shtetin tonë, prandaj të nderuar banorë të Pjetërshticës ju ishit ata të cilët strehuat grupet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ju jeni të parët që edhe sot po ndritni monumente të cilat do të ngritin pa harresën në popullin tonë. Unë si kryetar i komunës në emër të gjithë qytetarëve të komunës së Shtimes edhe njëherë ju them jo vetëm për këtë monument por edhe për kohën e luftës, faleminderit Pjetërshticë”. Ka thënë kryetari Ismajli.