Republika e Kosoves

Shtime

KRYETARI ISMAJLI MBAJTI MBLEDHJEN PUBLIKE ME QYTETARË

2020/06/22 - 7:55

Shtime, 22 qershor 2020 – Konform Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli ka mbajtur sot mbledhjen publike me qytetarë, i cili ka diskutuar për punën gjashtëmujore të ekzekutivit të Komunës së Shtimes lidhur me të arriturat, sfidat dhe projektet për të ardhmen. Gjatë këtij takimi publik, ai ka prezantuar tri çështje kryesore: Një informatë të përgjithshme rreth aktiviteteve që janë ndërmarrë në parandalimin e sëmundjes ngjitëse Covid 19, pastaj ka dhënë një raport gjashtëmujorë të punëve të kryera dhe të cilat janë duke u kryer në komunën tonë si dhe për fund ka folur rreth Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) 2021-2023.
Kryetari Ismajli fillimisht foli për themelimin e Shtabit Emergjent dhe pesë nënshtabeve për menaxhimin e situatës pas shfaqejes së pandemisë nga sëmundja Covid 19. Ai tregoi se në komunën tonë kanë qenë 18 raste dhe janë shëruar të gjithë, ndërsa mbrëmë është lajmëruar një rast i ri me Covid 19, mirëpo gjendja e pacientit është stabile dhe çdo gjë është nën kontrollë. Gjithashtu Ismajli njoftoi se sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) më nuk do të ketë teste për pa pasur simptoma lidhur me këtë sëmundje. Gjatë gjithë kohës kemi qenë të fokusuar për parandalimin e përhapjes së sëmundjes vdekjeprurëse, pastaj kemi ndihmuar familjet që kanë pasur nevojë duke ju shpërndarë pako ushqimore dhe higjienike, tha kryetari Ismajli. Me një fjalë, ka qenë një moblizim i përgjithshëm i qytetarëve që kanë ndihmuar lidhur me mospërhapjen e sëmundjes mirëpo Ismajli tha se tash nuk duhet të qëndrojmë komodë por gjithnjë duhet pasur kujdes sepse ende ekziston rreziku për përhapjen e kësaj sëmundje të rrezikshme të shekullit 21.
Në vazhdim, kryetari Ismajli foli rreth punëve gjashtëmujore që janë kryer dhe fazës së punimeve që janë duke u kryer. Ai tha se brenda këtij gjashtëmujori kemi pasur sfida për implementimin e projekteve me kohë për shkak të pandemisë mirëpo asnjë projekt deri më tash nuk ka dështuar dhe në muajt e ardhshëm do të kryhen projektet e planifikuara për vitin 2020.
Ndërkaq sa i përket planifikimit të buxhetit tha se kemi filluar punën me grupet e interesit dhe kjo do të jetë një bazë e mirë për vitin tjetër lidhur me projektet infrastrukturës duke përfshirë rrugët, kanalizimet, trotuare, sheshe, mirëmbajtje të shkollave, pastaj projekte për zhvillim ekonomik, ambient e të tjerë.
Në kuadër të kësaj mbledhje pati edhe pyetje nga qytetarët: Resul Gashi pyeti lidhur me objektin e ri shkollor në Pjetërshticë se a do të fillojnë nxënësit mësimin në këtë godinë të re më 1 shtator, për të cilën kryetari Ismajli tha se në bazë të planit dinamik ne planifikojmë që të fillojmë vitin e ri shkollor në objektin e ri. Ndërsa qytetari Behadin Rexhepi pyeti lidhur me lehtësirat që do të kenë bizneset si dhe rreth kanalizimit për ujëra të zeza si dhe ndërtimin e një impianti. Ndërsa, Liman Muhadini pyeti lidhur me punimet e rrugës që janë duke i zhvilluar nga varrezat e Lagjes së Pajtimit deri te xhamia e fshatit. Për të gjitha pyetjet kryetari Ismajli dha sqarime veç e veç.