Republika e Kosoves

Shtime

MATURANTËT SHTIMJANË UDHËTUAN DREJT DURRËSIT

2019/04/01 - 9:34

 

Shtime më, 1 prill 2019 – Në orët e hershme të mëngjesit, mbi 400 nxënës maturantë të Gjimnazit “Naim Frashëri” dhe Shkollës së Mesme Profesionale të Shtimes u nisën drejt Durrësit, të cilët do të qëndrojnë pesë ditë në Kompleksin Turistik “Kolaveri Resort” në Golem.

Sipas programit shkollor, nxënësit tanë sot do të vizitojnë qytetin e vjetër të Durrësit dhe amfiteatrin antik, ndërkaq në ditët në vazhdim do të vizitojnë: Qytetin e Krujës, gjegjësisht Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, pastaj qytetin e Elbasanit, qytetin e Vlorës, përkatësisht Shtëpinë e Pavarësisë dhe në ditën e fundit, më 5 prill do të qëndrojnë në kryeqytetin e Shqipërisë-Tiranën nga cili pasdite do të kthehen në Kosovë.

Mbulimi i shpenzimeve është bërë nga vet nxënësit dhe kostoja financiare për kokë nxënësi ishte 77 euro. Organizimi i këtij ekskursioni është bërë konform Udhëzimit Administrativ për Aktivitete Jashtëshkollore, nr. 02/2016 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Prej çlirimit të Kosovës më 1999, nxënësit shqiptarë të Republikës së Kosovës vizitojnë Shqipërinë përmes organizimit të ekskursioneve shkollore. Kjo formë jashtëmësimore ka për qëllim njohjen e një vendi me të gjitha vlerat e tij kulturore, historike, gjeografike, etnografike, për të cilat nxënësit kanë mësuar në shkollat e tyre. Pothuajse të gjitha shtetet u ofrojnë nxënësve të tilla organizime dhe ekskursione me karakter mësimor.