Republika e Kosoves

Shtime

MBAHET MBLEDHJA E PARË E KKSB-së PËR VITIN 2019

2019/03/14 - 3:33

 

Shtime më, 14.03.2019

Në udhëheqjen e nënkryetarit  të Komunës së Shtimes,z. Rrahman Jakupi, dhe në prezencën e drejtorëve të Drejtorive Komunale, anëtarëve të KKSB-së, përfaqësuesve të FSK-së, të KFOR-LMT në Shtime, OJQ-Vizionida etj., sot u mbajt mbledhja e parë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në Komunën e Shtimes për vitin 2019.

Situata e sigurisë u vlerësua e qetë dhe stabile.

Për gjendjen e sigurisë së përgjithshme në Komunën e Shtimes, ka folur Komandanti i Stacionit Policor në Shtime, togere Feime Bajrami e cili tha se situata e sigurisë në qytetin tonë në përgjegjësi, sipas periudhës raportuese, paraqitet e qetë dhe stabile, pa ndonjë incident për destabilizim në rend dhe qetësi publike dhe pa ndryshime duke i krahasuar me periudhën me vitin e kaluar.

Gjithashtu në këtë mbledhje kanë folur duke kontribuar edhe kryetari i Bashkësisë Islame në Shtime, z. Isa Tërshani, drejtori i Drejtorisë së Prokurimit, z. Muhadin Halili, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, z. Labinot Beqa etj.

Nënkryetari i Komunës, Rrahman Jakupi, falënderoi togeren Feime Bajrami, për raportin e detajuar, dhe theksoi se situata e sigurisë në komunën e Shtimes vazhdon të jetë e qetë dhe stabile. Nënkryetari, po ashtu ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për diskutimet që janë ngritur në këtë takim.