Republika e Kosoves

Shtime

MBAHET MBLEDHJA SOLEMNE E KUVENDIT, KUSHTUAR EPOPESË SË UÇK-së

2023/03/07 - 10:45

Shtime, 7 mars 2023 – Sot është mbajtur mbledhje solemne e Kuvendit të Komunës së Shtimes, kushtuar Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë seancë solemne, të udhëhequr nga kryesuesi i Kuvendit, Adnan Ademi, një fjalë rasti ka mbajtur kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, i cili tha: “25 vite më parë ishte kohë e zymtë. Atëbotë një armatë e tërë shtetërore shoviniste i ishte mësyer barbarisht një familjes të vetme. Në fakt, ata mund të mendonin se familja Jashari ishte e vetme, por nuk e dinin se nuk ishin kurrë të vetmuar, sepse gjithnjë e kishin tërë popullin pas dhe kështu do të jetë gjithmonë. Ne të gjithë shkojmë drejt rrugës që e ka trasuar Kryekomandanti Adem Jashari dhe punojmë sipas mësimeve të tij të patriotizmit dhe atdhedashurisë.
Jasharajt ishin kalitur në rezistencë, dhe 5, 6 e 7 marsi i ’98-ës për ta ishte hera e tretë që po përballeshin me sulmet e hordhive serbe. Pushtuesit e dinin se vatra e Jasharajve e ngrohte pareshtur mobilizimin mbarëpopullor për çlirim dhe para 25 vitesh vetëm sa i dhanë vulë këtij relacioni.
Kësisoj, jo vetëm më 5, 6 dhe 7 mars, por në secilën ditë tjetër, për më shumë se një çerekshekulli e deri më tash dhe gjithmone më tej, do të përkujtohet dhe nderohet sakrifica lapidare e familjes Jashari dhe komandantit legjendar, Adem Jashari.
Më mirë se pothuajse gjithkush tjetër, ne shqiptarët e kemi të mësuar se liria nuk është dhuratë që falet por arritje e përgjakshme që fitohet. Çmimi i kësaj fitoreje kalon nëpërmjet një rrugëtimi tragjik dhe mundësohet vetëm nga gatishmëria për ta rrezikuar jetën, ndërsa familja Jashari ishte plotësisht e aftë për ta sfiduar edhe vdekjen.
Vepra sublime e vetmohimit absolut për ideale kombëtare nga Jasharajt, është trashëgimia dhe thesari më i çmuar që na e lanë amanet në atë betejë epike e historike. Hapi nismëtar drejt jetësimit të këtij ideali mbetet çlirimi nga “frika prej vdekjes” dhe Jasharajt e dëshmuan se kur është liria në pyetje, nuk ka armë e artileri që i frikëson dhe s’mund të ketë ushtri që i zbrapsë nga vullneti për ta mposhtur robërinë.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, anëtarët e familjes Jashari rezistuan në vendlindjen e tyre, aty ku brez pas brezi kishin mësuar ta donin atdheun dhe ku ishin edukuar në frymë të vlerave kombëtare historikisht.
Në familjen e Shaban Jasharit në Prekaz, u luftua për tre ditë rresht, nën një rrethim të hekurt nga disa mijëra trupa policore të Serbisë, që me makineri ushtarake në përmasa të paimagjinueshme ndaj vetëm një familje, qëlluan me predha dhe bombarduan në ritme të larta duke vrarë gjithsej 59 persona.
Epopeja e UÇK-së në Prekaz nxiti mobilizimin dhe bashkimin e njerëzve që e panë qartësisht se lufta ishte detyrë e domosdoshme dhe se çlirimi ndryshe s’mund të arrihej.
Vajza e djemë të moshave të ndryshme, bijtë më të mirë të këtij kombi, me luftë të drejtë dhe të pastër arritën fitore përfundimtare edhe me ndihmën e aleatëve ndërkombëtarë që e detyruan okupatorin të tërhiqej dhe i dhanë mësim që asnjëherë as të mos mendojë të kthehet më në atdheun tonë.
Kryekomandanti Adem dhe familja Jashari u lartësuan mbi çdo akt të shërbimit ndaj komunitet dhe përmes vetes së tyre ata i hapën rrugë avancimit dhe zhvillimit të jetës për një komb të tërë. Ishin ata që i dhanë kuptim mundësisë për atë jetë që mund të lulëzojë dhe shpërthejë e plotë vetëm në liri. Prandaj, edhe sakrifica e tyre shënon njërin nga aktet më ta larta e të rralla të humanizmit të njohur nga historia botërore.
Ukshin Hoti shkruante “se edhe me çmimin e jetës nuk do ta lejojmë rrënimin e saj”. Këtë mision fisnik e mishëroi më mirë se askush tjetër, Adem Jashari me familje.
I lindur më 28 nëntor si përvjetor i rikthimit të Skënderbeut më 1443 e i daljes publike të UÇK-së më 1997 dhe i rënë më 7 mars në ditën e mësuesit duke qenë djalë i mësuesit Shaban, Kryekomandanti ishte i destinuar të ishte mishërim i përjetshëm si flamurtar i rezistencës, prijës ushtarak dhe edukues e frymëzues i çdo brezi.
Heroi Adem Jashari ishte vigan, emri i të cilit është sinonim tmerri për hasmin dhe trashëgimia e të cilit e rrënoi përdhé pushtuesin e fundit të tokës tonë.
Hero i përjetshëm është dhe do të jetë ai, madhështia e të cilit nuk shterron kurrë, derisa të ketë shqiptarë mbi dhé.
Fitorja e luftës na çliroi e pavarësoi nga pushtuesi dhe më pas na e solli shtetin e Republikën. Tash, po e konsolidojmë në çdo cep shtetësinë tonë dhe po angazhohemi të arrijmë suksese të cilat ishin dëshira, amaneti dhe ideali i atyre që e dhanë më të çmuarën që kishin për ta gëzuar ne lirinë dhe për ta jetësuar ëndrrën e tyre.
Sot, jemi krenarë me Ushtrinë e Kosovës, pasardhësen e denjë të UÇK-së që merr pjesë në stërvitje të përbashkëta ushtarake me partnerët tanë strategjikë, gjersa përfshihet në operacione ndërkombëtare të ruajtjes së paqes, ndërkohë që i shtohen pajisjet moderne, i rriten aftësitë dhe buxheti. Pra, Forca e Sigurisë së Kosovës është realiteti ynë që po e realizon vizionin e Adem Jasharit për ushtrinë tonë”, përfundoj fjalimin e tij kryetari Qemajl Aliu.
Gjatë ditës së sotme, gjegjësisht në ora 18:00, për nder të Epopesë së UÇK-së mbi fshatin Reçak, te Kulla e Lirisë do të bëhet ndezja e Flakadanëve për Zonën Operative të Nerodimes në komunën e Shtimes.