Republika e Kosoves

Shtime

MBAHET TAKIMI KONSULTATIV PËR SHËNIMIN E PËRVJETORIT TË MASAKRËS SË REÇAKUT

2022/01/13 - 4:27

Shtime, 13 janar 2022 – Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu sot mbajti takimin e radhës me Këshillin Organizativ në kuadër të përgatitjeve për shënimin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut që do të mbahet nën patronatin e Kryeministrit Kurti. Në këtë takim morën pjesë: Albana Fazliu, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport, Bajram Shabani, kapiten i Policisë së Kosovës, Nexhmedin Ahmeti, rreshter në Stacionin Policor të Shtimes, Adem Ramadani, kryetar i fshatit Reçak, Muhamet Bilalli nga SHFD e UÇK-së, Haxhë Haxha nga OVL-UÇK-së, dr. Pranvera Bajrami u.d. e QKMF-së në Shtime, Fatmire Ferati, zyrtare në DKRS, Bajram Gashi nga Njësia për Shpëtim dhe Zjarrfikje si dhe Osman Muharremi nga KRM “Pastërtia”. Kryetari Qemajl Aliu foli për rëndësinë që ka kjo datë jo vetëm për qytetarët e Shtimes por mbarë vendin sepse 15 janari ishte pikë kthese në historinë e Kosovës, andaj edhe shënimi i kësaj date duhet të jetë dinjitoz dhe në harmoni me përmasat e kësaj ngjarje që tërhoqi vëmendjen e faktorit ndërkombëtar dhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Të pranishmit diskutuan për aktivitetet që parashihen të mbahen si dhe shpalosen idetë e tyre rreth planit organizativ me qëllim të një paraqitje dinjitoze në nderim të kësaj ngjarje kaq të rëndësishme për Komunë tonë. Masakra e Reçakut, ka rëndësi kombëtare pasi ajo paraqet krimin kundër njerëzimit që u ushtrua në civil të pafajshëm dhe kjo ngjarje duhet të jetë referencë për shtetndërtim dhe realizim të idealeve të të rënëve për lirinë që gëzojmë sot.