Republika e Kosoves

Shtime

ME PIETET PËRKUJTOHET 20-VJETORI I RËNIES SË DËSHMORIT ATNAN KRASNIQI

2019/05/07 - 2:05

 

Shtime, 7 maj 2019 – Me rastin e 20-vjetorit të rënies heroike, është përkujtuar dëshmori i UÇK-së, Atnan Krasniqi. Nënkryetari i komunës së Shtimes, Rrahman Jakupi, së bashku me familjarë të dëshmorit, veteranë e invalidë të luftës, miq të familjes dhe zyrtarë të lartë komunalë bënë homazhe pranë pllakës përkujtimore, në vendin e rënies së dëshmorit, në Mollopolc. Nënkryetari Jakupi vlerësoi lartë figurën e dëshmorit, i cili me veprën e tij heroike ishte në shërbim të atdheut për të shporrur okupatorin serb njëherë e përgjithmonë nga trojet tona shekullore. “Atnan Krasniqi, i lindur në Hoçë të Qytetit, sapo kishte mbushur 18 vite, dhe ishte ndër luftëtarët më të rinj të rënë për lirinë e Kosovës”, tha në mes tjerash nënkryetari Rrahman Jakupi.
Për të përkujtuar jetën dhe veprën heroike të dëshmorit, Atnan Krasniqi, kishte ardhur nga Prizreni, ish-komandanti i Brigadës Speciale 125 të Zonës Operative të Pashtrikut, Nehat Basha dhe bashkëluftëtarë të dëshmorit, që kanë vepruar së bashku në këtë brigadë. Po ashtu i pranishëm ishte edhe ish-kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, i cili së bashku me nënkryetarin e Shtimes, Rrahman Jakupi dhe përfaqësuesin e Shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së, Ramiz Smajli, kanë vendosur buqeta me lule pranë lapidarit të luftëtarit të lirisë, Atnan Krasniqi.
Më 7 maj të vitit 1999, Atnan Krasniqi ka rënë për të mos vdekur kurrë, në luftimet e Petrovës, ku luftëtarët e Brigadës Speciale 125 kishin shkuar për t’i ndihmuar Brigadës 162 “Ahmet Kaçiku” në Zonën Operative të Nerodimes. Pas luftës, trupi i Atnanit është përjetësuar në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit.
Sot, u bë e ditur se në nderim të figurës së dëshmorit, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar Dëshmor të Kombit, Atnan Krasniqin.