Republika e Kosoves

Shtime

Përurohet investimi për efiçiencë të energjisë në SHMU “Emin Duraku” të Shtimes

2023/03/16 - 9:30

Shtime, 15 mars 2023 – Shkolla e Mesme e Ulët “Emin Duraku”, është njëra nga shkollat e komunës së Shtimes që ka përfituar projektin në kuadër të masave për efiçiencë të energjisë, ku në kuadër të zbatimit të këtyre masave, sot është bërë përurimi i këtij objekti shkollor, ku tashmë kanë përfunduar punimet.
Në përurimin e këtij objekti shkollor ka marrë pjesë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, drejtori menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), Ahmet Ismaili, përfaqësuesja e zyrës së BE-së në Kosovë, AnnaCarin Platon, si dhe përfaqësuesja e Zyrës së Bankës Botërore, Elene Imnadze, të cilët janë pritur nga drejtoresha e DKA-së, Yllka Fejzullahu dhe drejtori i shkollës, Rexhep Hasani.
Fillimisht, të gjithë së bashku e kanë bërë përurimin e punimeve në këtë shkollë dhe i kanë parë nga afër investimet dhe realizimin e tyre, në izolim, ngrohje dhe ndriçim, pjesë e masave për efiçiencë të energjisë, të cilat, tashmë kanë ulur përgjysmë koston e shpenzimeve në këtë objekt.
Në vazhdim, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përgëzoi të pranishmit për punën që është bërë dhe tha se nga ky projekt përfitim të shumëfishtë do të ketë kjo shkollë dhe komuna, mirëpo çka është më me rëndësi nxënësit do të kenë një ambient më të ngrohtë gjatë stinës së dimrit dhe do të ndjehen më rehat. Përndryshe Rizvanolli potencoi se ky investim do të ndikon drejtpërdrejt edhe në mësimnxënie dhe mësimdhënie.
Kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, përfaqësuesit e këtyre institucioneve, i ka falënderuar për bashkëpunimin dhe përkrahjen për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për komunën e Shtimes.
Po ashtu edhe përfaqësuesit e FKEE-së, Ministrisë së Ekonomisë, BE-së dhe Bankës Botërore, e kanë falënderuar dhe e kanë përgëzuar kryetarin Aliu për bashkëpunimin e mirë në realizmin e këtyre projekteve dhe kanë thënë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në fazat tjera të realizimit të projekteve të tilla në kuadër të masave për efiçiencë të energjisë.
Shuma investuese në këtë godinë shkollore është 198,646.50 euro ndërsa përfitues direkt janë nxënësit dhe personel i kësaj shkolle dhe mbi të gjitha gjithë qytetarët e Shtimes.