Republika e Kosoves

Shtime

SHËNOHET 1 QERSHORI – DITA NDËRKOMBËTARE E FËMIJËVE

2023/06/01 - 10:13

Shtime, 1 qershor 2023 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, në rrugën kryesore të qytetit të Shtimes, defiluan qindra nxënës të shkollës fillore “Emin Duraku” për të shënuar këtë festë gëzimi.
Në Stadiumin e Qytetit në Shtime, ata shprehën ndjesitë e tyre, emocionet përmes lojërave të ndryshme, këngësh, vallesh si dhe ngjyrosje nga vullnetarët e organizates “Balkan Sunflowers”.
Po ashtu, në Shtëpinë e Kulturës për nxënësit e klasave: I, II dhe III është shfaqur filmi “Balonat për fëmijët”, mandej për nxënësit e klasave: VI dhe V është mbajtur ligjërata nga Policia e Kosovës me temën: “Siguria në rrugë”. Gjithashtu për nder të kësaj dite ekipi i futbollit “Vjosa” për nxënësit e klasave: IV dhe V ka organizuar lojën “Parafatos” dhe “Babina”.
Nënkryetari i Komunës Faruk Beqa, Drejtoresha e Arsimit, Yllka Fejzullahu dhe drejtoresha e Kulturës, Albana Fazliu, qëndruan për disa çaste në mesin e nxënësve filloristë për të parë nga afër aktivitetet që zhvilloheshin sot kushtuar ditës së fëmijëve.
Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, në forma të ndryshme manifestimesh kulturo-artistike është shënuar edhe në shkollat tjera të komunës së Shtimes si dhe në çerdhen e qytetit “Albiona Asllani”.
Falenderime për bashkëpunimin e ndihmën në realizimin e aktiviteteve: organizates “Balkan Sunflowers”, Ekipit të futbollit “Vjosa”, Polisicë së Kosovës në Shtime si dhe gjithë mësimdhënësve e prindërve.