Republika e Kosoves

Shtime

SHËNOHET 22 VJETORI I RËNIES MARTIRE TË FAMILJES ASLLANI NGA FSHATI RANCË

2020/08/26 - 2:55

Shtime, 26 gusht 2020 – Sot me homazhe, me vendosjen e gurëthemelit për rregullimin e Kompleksit Përkujtimor dhe zbulimin e Pllakës Përkujtimore janë përkujtuar 11 martirët e familjes Asllani nga fshati Rancë, i komunës së Shtimes.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli së bashku me strukturat udhëheqëse të komunës, me ish-ministrin Fehmi Mujota, drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Bislim Zogaj, nënkryetarin z. Rrahman Jakupi, përfaqësues dhe udhëheqës të Shoqatave të Luftës së UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës së UÇK-së, drejtues të institucioneve publike të komunës dhe qytetarë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule të freskëta në Varrezat e Martirëve të 11 anëtarëve të Familjes Asllani, në Rancë.
Përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta, Muhamet Bilalli, tha se kjo familje me gjakun e tyre, u bë pjesë e lirisë që e gëzojmë sot. “I përkujtojmë sepse me gjakun e tyre ata janë bërë pjesë e lirisë që e gëzojmë sot, liri për të cilën Kosova ka derdhur gjak aq shumë, për më shumë se 1 shekull. Pra duhej edhe gjaku i familjes Asllani nga plaku 100 vjeçar te fëmija 1 vjeçar që liria të vinte në këtë pjesë të tokës tonë. Të gjithë të rënët në fushën e nderit të kësaj lirie, të gjithë të vrarët e luftës së lavdishme të UÇK-së janë bërë pjesë e lirisë sonë, janë bërë pjesë në kuptimin e plotë të fjalës liri”, tha ai.
Në 22 vjetorin e vrasjes së tyre nga forcat serbe, para të pranishmëve foli edhe drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Bislim Zogaj, i cili tha se dëshmorët dhe martirët janë vlera e vendit dhe të gjithë duhet të bashkohemi rreth këtyre vlerave. “ Me rastin e këtij gurthemeli, ne si agjenci nuk jemi duke bërë diçka të veçantë por jemi duke kryer obligime për ata që e sollën lirinë, falenderimi shkon për bacen Isak, për qëndrueshmërinë e tij por edhe modestinë e tij, shumë falenderime për Jetmiren e cila është edhe vajzë e dëshmorit e cila ka shpreh gatishmërinë të bëj këtë projekt duke shprehur më së miri edhe ndjenjën kombëtare me këtë projekt, falenderime edhe për kryetarin e komunës ku vazhdimisht kemi bashkëpunuar duke qenë në vija të përbashkëta në realizimin e shumë projekteve në komunën e Shtimes.” – tha ndër tjerash z. Zogaj.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli gjate fjalimit të tij tha: ” Prezenca juaj të nderuar të pranishëm po e dëshmon që jemi pranë familjes Asllani, kuptohet që pandemia e ka pamundësuar një organizim më madhështor !
Jju faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen e juaj. Përshendes dhe falenderoj familjen Asllani e në veçanti bacën Isak i cili realisht po jep një model të asaj se si mund të përballohen dhimbjet e shkaktuara nga lufta”.
Kryetari Ismajli shtoi se: ” Me vendosjen e gurthemelit për fazën e dytë të rregullimit të Kompleksit ne jemi krenarë, jo vetëm që po nderojmë martirët e rënë për lirinë e Kosovës, sepse ata i nderon dhe do t’i nderoi e gjithë Kosova, por që po lëmë gjurmë të cilat do ti qëndrojnë kohës për breza e breza me radhë duke përçuar mesazh se në Kosovë për të fituar lirinë është derdhur gjak.
E nderuara familje Asllani, i nderuar baca Isak ne do të jemi çdo herë pranë jush dhe jemi të bindur se asnjëherë nuk do ta shlyejmë borxhin për të gjithë ata që derdhën gjakun për lirinë e vendit tonë sa do që do të mundohemi të bëjmë.” – tha kryetari Ismajli.
Arkitektja, Jetmire Qerimi i falenderoi të gjithë pjesëmarrësit si dhe përshëndeti institucionet për gjithë gatishmërinë në realizimin e këtij projekti.
Edhe ish-ministri, Fehmi Mujota për një fjalë rasti para të pranishmëve, ndër tjera tha: ” Familja Asllani është një familje shembull e cila dëshmon në çdo pikëpamje realitetin e Kosovës. Në këtë moment kur edhe po vendoset gurëthemeli i Kompleksit Përkujtimor të familjes Asllani, është ky moment ku Kosova, shteti ynë rrënjët i ka në gjakun e dëshmorëve dhe të martirëve tanë të rënë në luftën e fundit në Kosovë”.
Në emër të familjes, veterani Isak Asllani përshëndeti të pranishmit duke thënë se me ta do të jetë gjithmonë e më i fortë.
Para fillimit të manifestimit, të pranishmit bënë homazhe në varrezat e martirëve, pastaj u vë gurëthemeli i Kompleksit në Rancë ku edhe janë të varrosur 11 anëtarët e familjes Asllani, si dhe në Grejçevc u zbulua pllaka përkujtimore ku me 26 gusht të vitit 1998, artileritë serbe, vranë 11 anëtarë të familjes Asllani, prej të cilëve 8 ishin fëmijë të moshave të ndryshme dhe tri gra.