Republika e Kosoves

Shtime

SHËNOHET TREMBËDHJETË VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS

2021/02/17 - 1:06

Shtime, 17 shkurt 2021 Në komunën e Shtimes u shënua Dita e Pavarësisë së Kosovës me një seancë solemne të kryesuar nga znj. Medina Brahaj, kryesuese e Kuvendit të Komunës. Të pranishëm ishin kryetari i komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli, nënkryetari i komunës, z. Rrahman Jakupi, përfaqësues nga Shoqatat e Dalura nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ( UÇK), drejtorë institucional e zyrtarë komunal.
Kryesuesja Brahaj i uroi të gjithë qytetarëve dhe të pranishmëve në sallë 13 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës:
“Jemi mbledhur sot në këtë seancë solemne, për nder të 13 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, shtetit tonë të ri, andaj më lejoni që në emër timin dhe të Kuvendit të Komunës t’ju uroi këtë ditë të veçantë për popullin tonë, ndërsa në veçanti të uroi familjet e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe të gjithë ata që u sakrifikuan që ne këtë ditë ta festojmë të lirë”, tha ndër të tjera kryesuesja Brahaj.
Kryetari i komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli para të pranishmëve gjatë seancës solemne, në fjalimin e tij tha: ” Kjo ditë është ditë e shenjtë për të gjithë ne dhe për gjeneratat që do të vijnë. Është jetësimi ëndrrës shekullore dhe kurorezimi i sakrificave që edhe ne të jetojmë të lirë në shtetin tonë. Sot, e shënojmë Ditën e Pavarësisë pa shtatë çlirimtarët tanë, pa ata të cilët janë themeltar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të lirisë e të Pavarësisë së Kosovës. Kjo është ditë që na bënë krenar për të kaluarën tonë, duke mos i harruar kurrë dhe duke qenë gjithmonë mirënjohës për të rënët për Lirinë e vendit tonë, sepse gjaku i tyre u bë gurthemel për Pavarësinë e Kosovës.
Uroj familjet e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), invalidë e veteranë të UÇK-së si dhe të gjithë ata që kontribuan në ngritjen e institucioneve dhe shtetndërtimin”.
Pas seancës solemne, kryetari Ismajli së bashku me nënkryetarin Jakupi, kryesuesen Brahaj, stafin udhëheqës institucional, këshilltar të Kuvendit, përfaqësues të Shoqatave të dalura nga lufta, veteranë e familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të komunës së Shtimes, bënë homazhe dhe vendosën buqeta me lule pranë varrezave të dëshmorëve dhe martirëve tanë në Shtime, Reçak dhe Mollopolc.