Republika e Kosoves

Shtime

SHTROHET “SOFRA SHKOLLORE 2019” NGA NXËNËSIT E SHKOLLËS “EMIN DURAKU”

2019/04/26 - 11:58

 

Shtime, 26 prill 2019 – Jehona e sofrës shkollore ka bërë të veten ngase tashmë ka kaluar në aktivitet tradicional dhe me iniciativën e Klubit të Gjelbër të Shkollës së Mesme të Ulët “Emin Duraku” në Shtime është organizuar për herë të tetë “Sofra Shkollore 2019”.
Hapjen e këtij aktiviteti shkollor e bëri kryetarja e Klubit të Gjelbër, Dafina Brahimi e cila tregoi se organizimi i “Sofrës Shkollore” ka për qëllim angazhimin e nxënësve dhe prindërve të tyre për të dhënë kontribut të çmueshëm për shkollën përmes përgatitjes së ushqimeve dhe ëmbëlsirave të ndryshme, të cilat gjatë këtij aktiviteti nga vet nxënësit do të shiten.
Drejtori i shkollës, Labinot Rexhaj tha se me anë të këtij aktiviteti, ne synojmë tek nxënësit t’i ngrisim vlerat shoqërore dhe materiale. “Përmes këtij aktiviteti do t’i ndihmojmë familjet me nevojë dhe deri më tash janë ndihmuar gjithsej 54 familje, mirëpo disa prej mjeteve financiare zakonisht do të përdoren për aktivitete shkollore”, bëri të ditur drejtori Rexhaj.
Në këtë organizim morën pjesë drejtori i Arsimit, Mensur Neziri, drejtoresha për Inovacion dhe Zhvillim të Projekteve, Shpresa Tafa, drejtori i Shërbimeve Publike, Halil Halili si dhe zyrtarë tjerë të institucioneve komunale. Ky aktivitet për herë të parë është organizuar nga ish-drejtoresha e kësaj shkolle, Zejnepe Hysenaj, në prill të vitit 2012.