Republika e Kosoves

Shtime

SIGURIA E PËRGJITHSHME NË SHKOLLA ËSHTË E MIRË DHE STABILE

2018/04/23 - 1:39

SIGURIA E PËRGJITHSHME NË SHKOLLA ËSHTË E MIRË DHE STABILE

Duke ditur rëndësinë që ka siguria e përgjithshme në institucionet edukativo-arsimore, me kërkesë të drejtorit të Arsimit, z. Mensur Neziri, sot, në sallën e Asamblesë Komunale është mbajtur mbledhja e përbashkët me kryetarët e Këshillave Drejtues të Shkollave (KDSH), drejtorët e institucioneve arsimore, përfaqësuesit e nxënësve në KDSH dhe Shërbimin Pedagogjik-Psikologjik të komunës së Shtimes.
Drejtori i Arsimit, z. Neziri potencoi se ky takim ka për qëllim bashkëpunimin ndërinstitucional për të garantuar sigurinë e përgjithshme të fëmijëve nëpër shkolla. “Për sigurimin e një klime të sigurtë në shkolla, nevojë e domosdoshme është angazhimi permanent i Shërbimit Pedagogjik-Psikologjik, mandej Këshillat Drejtues të Shkollave të jenë sa më funksional dhe të bashkëveprojnë me drejtorët e institucioneve arsimore, të mbështetur gjithnjë nga Njësia e Policisë në Bashkësi”, tha ndër të tjera drejtori Neziri.
Rreshteri i Stacionit të Policisë në Shtime, z. Nexhmedin Ahmeti, bëri të ditur se siguria e përgjithshme në komunën e Shtimes, duke përfshirë këtu edhe institucionet shkollore, është e mirë e stabile dhe nuk ka ndonjë incident të vaçantë gjatë këtij tremujori.
Nga akterët e kësaj mbledhjeje u sugjerua që për sigurinë e nxënësve të ketë patrollime të vazhdueshme të policisë afër shkollave, sidomos të ketë kujdes në komunikacion, mandej të vendosen barriera në rrugë afër shkollave, nënkalime për këmbësorë, kamera të sigurisë nëpër shkolla e të tjera.