Republika e Kosoves

Skënderaj

Gjendje stabile në QKMF, nuk ka vend për panik

2021/04/06 - 7:46

Nënkryetari i Komunës së Skenderaj, Nuredin Lushtaku, sot ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), e cila sikurse gjitha spitalet në Kosovë, është duke u patrulluar sot nga Policia e Kosovës, si pasojë e kërcënimit për sulme që janë adresuar në polici nga një person anonim.
Nënkryetari Lushtaku gjatë takimit me drejtorin e QKMF-së, Osman Veliu dhe zëvendës drejtoreshën, Florentina Shala Gashi, tha se sipas informacioneve që ka dhënë stacioni policor në Skenderajt, gjendja në përgjithësi është e qetë dhe nuk ka vend për shqetësim nga ana e qytetarëve e as nga ana e stafit mjekësor .
Policia e Kosovës në mëngjesin e ditë së sotme ka njoftuar se një person anonim ka kontaktuar policinë dhe ka kërcënuar se do të sulmonte dikë në spital, por pasi që ky person nuk tregoi se në cilin qytet do të kryente sulmin, për arsye parandaluese, po sigurohen spitalet në të gjithë vendin nga ekipet e sigurisë.

QKMF po vazhdon ofrimin e shërbimeve të rregullta ditore për qytetarët e komunës sonë dhe kështu do të vazhdojë pa u ndalur.