Republika e Kosoves

Skënderaj

Komuna e Skenderajt nis procesin e implementimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2017

2018/10/10 - 3:49

Kryetari i Komunës së Skenderajt, z.Bekim Jashari, ka pranuar me kënaqësi mbështetje profesionale nga USAID-i, i cili ka dërguar ekspertë të auditimit në komunën e Skenderajt, për adresimin e implementimit të rekomandimeve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, në raportin e auditimit për vitin e kaluar, i cili ka konstatuar disa parregullsi.

Për këtë qëllim, sot është mbajtur takimi i parë i Drejtorëve komunalë, Auditorit të Brendshëm të Skenderajt dhe ekspertëve të auditimi, në të cilin janë diskutuar të gjeturat e raportit të Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2017.

Me theks të veçantë janë analizuar të gjitha të gjeturat dhe rekomandimet e dhëna për fushat e prokurimit publik, financave publike, auditimin e brendshëm dhe burimet njerëzore.

Me qëllim të implementimit të rekomandimeve që ka nxjerr Auditori i Përgjithshëm për periudhën janar – dhjetor 2017, ekspertët e auditimit do të jenë të angazhuar më shumë se një muaj, të cilët do të ofrojnë gjithë përvojën profesionale për Komunën e Skenderajt, në funksion të implementimit të rekomandimeve dhe të gjeturave të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.