Republika e Kosoves

Skënderaj

Kryetari Fadil Nura, bashkë me drejtorët e Ekzekutivit, kanë realizuar një takim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj

2021/12/22 - 5:16

Në funksion të rritjes së shërbimeve mjekësore, ngritjës së cilësisë së tyre, adresimin e nevojave dhe çështje të tjera, sot kryetari i Komunës, Fadil Nura, bashkë me drejtorët e Ekzekutivit, kanë realizuar një takim në sallën e takimeve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, ku janë pritur nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të QKMF-së, dr.Agron Mehmeti së bashku me menaxhmentin.
Në fjalën e tij, kryetari Nura ka uruar dr.Mehmetin, për udhëheqjen e tij në krye të spitalit, si dhe ka inkurajuar menaxhmentin të rris përpjekjet në adresimin e sfidave dhe problemeve me të cilat përballet sot sistemi shëndetësor.
Kryetari Nura ka siguruar mbështetje insntitucionale për ushtruesin e detyrës së QKMF-së, në shtimin e numrit të mjekëve, stimulim financiar për angazhim profesional.
“Çështja e parkingut në oborrin e QKMF-së, oksigjenimi dhe veprime të tjera, janë nevojat që do t’i adresojmë në afatin më të shkurtë të mundshëm, në funksion të rritjes së shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimit të kushteve të punës në spitalin e qytetit tonë”, ka thënë kryetari Nura.
Siç është shprehur kreu i Skenderajt, menaxhmenti do të ketë gjithë përkrahjen e nevojshme institucionale, në angazhimin e tij, për të përmirësuar dhe mirëfunksionalizuar shërbimet, si dhe për t’i shkurtuar radhët e qytetarëve që presin të marrin ndihmë mjekësore.
Në anën tjetër, dr.Mehmeti, ka falënderuar kryetarin Nura për përkrahjen e ofruar, duke u shpreh i gatshëm t’i zgjidhin bashkërisht problemet aktuale me të cilat përballet spitali, si çështja e parkingut, garazhët, shtimin e numrit të mjekëve, stimulimin financiar, etj.
Vetëm pak ditë pasi kryetari Nura vizitoi spitalin e qytetit, në orët e pasditës, ku u ballafaqua me rritje të numrit të pacientëve, si pasojë e gripit sezonal, është arrit të forcohet shërbimi pediatrik, duke e kthyer në vendin e punës doktoreshën e fëmijëve, Ferdie Deliu.
Ky veprim do të pasojë të tjera, me qëllim të funksionalizimit më të mirë të të gjitha shërbimeve shëndetësore që ofrohen në QKMF.