Republika e Kosoves

Skënderaj

Kryetari Jashari: Askush të mos mbetet pa u përkrahur

2020/05/20 - 6:14

Të gjitha familjet në nevojë, të cilat nuk kanë marrë pako ushqimore gjatë shpërndarjes së kontigjentit të dytë ndihmave, kanë një mundësi të dytë për t`u lajmëruar tek administratoret e fshatrave, e më pas për t`u përkrahur  nga komuna.

Për dy ditë radhazi, me datë 18 dhe 19 maj është bërë shpërndarja e pakove ushqimore për familjet në nevojë, sipas listave të familjeve në asistencë sociale dhe listave të sjella nga kryetarët e fshatrave.

Brenda këtyre dy ditëve nga buxheti i komunës dhe nga përkrahja e donatorëve të shumtë, janë shpërndarë pako ushqimore për 4 mijë familje në nevojë.

“Jemi të vetëdijshëm për nevojat e mëdha dhe nivelin e varfërisë tek familjet e komunës sonë, prandaj kemi vendosur që askush të mos mbetet pa u përkrahur”, ka thënë Kryetari Bekim Jashari.

Jashari bëri kërkesë që të gjitha familjet që brenda këtyre dy ditëve nuk kanë marrë pako ushqimore të lajmërohen tek kryetarët e fshatrave apo lagjeve dhe pas grumbullimit të listave të familjeve që kanë nevojë për pako ushqimore do të bëhet shpërndarja e pakove tek secila shtëpi një nga një.

Të bashkuar në çdo kohë!