Republika e Kosoves

Skënderaj

Kryetari Jashari e njofton Komisioinin Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural…për gjendjen e Kullave të Familjes Jashari

2018/10/08 - 2:00

Kryetari i Komunës së Skenderajt, z.Bekim Jashari ka pritur sot anëtarët e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, në krye me kryetarin e këtij komisioni, Muharrem Nitaj, si dhe drejtorin e Agjensionit për Menaxhim të Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj.

Kryetari Jashari e ka njoftuar kryetarin e këtij komisioni, z.Nitaj për gjendjen e Kullave të Familjes Jashari në Prekaz, të cilën e ka përshkruar si jo të mirë, dhe që rrezikojnë të dëmtohen edhe më shumë, në mungesë të përkujdesjes adekuate.

Pas homazheve te varret e dëshmorëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, kryetari Jashari dhe anëtarët e Komisionit Parlamentar kanë vizituar Kullat e Rezistencës, ku janë pajtuar së gjendja e tyre është rënduar, për çka kërkohet të veprohet shumë shpejt, për mbrojtjen dhe ruajtjen e kësaj pasurie kombëtare.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit Parlamentar, Muharrem Nitaj, e ka njoftuar kryetarin Jashari për kalim në leximin e dytë të Projekt-ligjit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, i cili pritet që të miratohet edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas së cilit, Kulla e Rezistencës dhe të gjitha objektet tjera historike të Familjes Jashari, do të trajtohen ashtu siç edhe e meritojnë.

“I falënderova të gjithë anëtarët e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, për kontributin e dhënë në hartimin e ligjit, shumë të rëndësishëm për ruajtjen dhe trajtimin shtetëror të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz”, është shprehur kryetari i Komunës së Skenderajt, z.Bekim Jashari.