Republika e Kosoves

Skënderaj

Kryetari Jashari pret në takim kryetarin e Kuvendit Komunal të Bujanocit, Adnan Salihun me bashkëpunëtorë

2018/11/06 - 6:18

Nuk do të mund ta gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, pa qenë të lirë dhe me të drejta të plota edhe pjesa tjetër e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës.

Takim shumë të ngrohtë pata sot me dr.Adnan Salihun kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Shqipërim Musliun, kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik, që është djali i veprimtarit të shquar të çështjes shqiptare në Luginë, Jonuz Musliu, me vëllezër tjerë mysafirë, ku gjithsesi temë diskutimi ka qenë çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të drejtat e tyre jo të kënaqshme, aktualiteti politik në Kosovë, si dhe diskutime rreth angazhimit institucional të Shqipërisë dhe Kosovës, për të punuar më shumë për vëllezërit tanë atje.

Më bëri përshtypje një thënie e Shqipërimit, i cili tha: “Nuk është interesant me qenë shqiptar sot në Shqipëri dhe Kosovë, sa është me qenë shqiptar në Luginë të Preshevës”.

Për fatin tonë të keq, bashkësia ndërkombëtare ka aplikuar standarde të dyfishta kur janë në pyetje serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Luginës.

Megjithëse jam i vetëdijshëm për gjendjen çfarë kanë vëllezërit tanë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Tirana dhe Prishtina duhet të punojnë natë e ditë për t’i avancuar të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës.