Republika e Kosoves

Skënderaj

Kryetari Jashari vazhdon t’i publikojë kontratat publike

2018/10/09 - 10:11

Kryetari i Komunës së Skenderajt, z.Bekim Jashari ka vazhduar me publikimin kontratave publike me operatorë ekonomikë.

Kryetari është shprehur se kjo është edhe një dëshmi tjetër e përkushtimit të tij dhe qeverisjes lokale për transparencë të plotë, sa i përket menaxhimit të financave publike.

“Jam zotuar të bëjmë gjithçka që na lejojnë ligjet dhe rregullat e demokracisë për të ofruar shërbime efikase ndaj qytetarëve, sikurse që jam zotuar për llogaridhënie dhe transparencë në qeverisjen time”, ka thënë z.Jashari.

Kjo është faza e dytë e publikimit të kontratave publike me operatorët ekonomikë, për kryerjen e punëve, ofrimin e shërbimeve apo furnizime të ndryshme në Komunën e Skenderajt.

“Kjo praktikë e re që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në Skenderaj, do të vazhdojë për aq kohë sa do të jem kryetar i Komunës”, ka theksuar kreu i Komunës së Skenderajt.

Në llogarinë e tij në Facebook, kryetari Jashari i ka publikuar dhe shpërndarë linqet e 8 kontratave të fundit publike të nënshkruara me operatorë ekonomikë.