Republika e Kosoves

Skënderaj

Kuvendi Komunal përfundoi seancën e ndërprerë

2018/10/04 - 8:40

Ka përfunduar vazhdimi i seancës së Kuvendit Komunal të Skenderajt, që ishte ndërprerë të premten e kaluar.

Në hyrje të seancës, kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj.Fatbardha Haliti, ka mbajtur një fjalim, rreth ngjarjes që ka ndodhur të premten kur edhe ishte ndërprerë seanca.

Duke iu kërkuar falje qytetarëve, ka thënë se ajo çfarë ndodhi nuk do të duhej të ndodhte, në mos për asgjë tjetër, nuk do të duhej për shkak të historisë sonë të lavdishme të së kaluarës jo të largët, vlerat e të cilës na bëjnë krenarë që jemi shqiptarë.

“Si kryesuese e Kuvendit, për aq kohë sa do të jem e tillë, dhe për aq sa më lejon Rregullorja e Kuvendit, nuk do të lejoj të fyhet e të tentohet të poshtërohet askush nga ne, aq më pak kryetari i Komunës së Skenderajt, z.Bekim Jashari”, ka thënë kryesuesja Haliti, duke iu bërë thirrje anëtarëve të Kuvendit, ta luftojnë dhe kundërshtojnë politikën e Ekzekutivit, por duke ofruar alternativa të zgjidhjes së problemeve, dhe assesi duke fyer personalisht askënd. Iu ka bërë thirrje gjithashtu të tregojnë qytetari dhe pjekuri politike.

Ndryshe, seanca ka vazhduar me pikat e mbetura të rendit të ditës, ku pas shqyrtimit janë miratuar të gjithë 9 pikat e rendit të ditës.