Republika e Kosoves

Skënderaj

Me homazhe shënohet përvjetori i sulmeve të para ndaj Familjes Jashari

2020/12/30 - 2:32

Për nder të përvjetorit të sulmit të parë ndaj Familjes Jashari, njëherit ditës së Veteranit, i pari i komunës, Bekim Jashari së bashku me nënkryetarin e komunës Nuredin Lushtaku, deputetin e Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, shoqatat e dalura nga lufta e UÇK-së, Policinë e Kosovës si dhe bashkëpunëtor të tjerë, filluan shënimin e kësaj dite me nderime tek shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, në sheshin e qytetit.

Homazhet me pas vazhduan në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ku u nderua kontributi i jashtëzakonshëm i Familjes Jashari në lirinë e vendit.

Në shenjë nderimi homazhe u bënë edhe në Kompleksin e Varrezave në Marinë, ku nderuan të gjithë të rënët në altarin e lirisë.
Kryetari Jashari me rastin e këtij përvjetori, ngriti lartë kontributin e dhënë nga dëshmorëve të kombit të cilët jetësuan ëndrrën shekullore për Liri dhe Pavarësi.

“Ne sapo bëmë homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari, së bashku me Shoqatat e dala nga lufta, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, asamblistë, shoqëri civile, policinë duke përkujtuar me nderë dhe respekt sakrificën e gjithë dëshmorëve, në veçanti të familjes Jashari, gjatë sulmit 29 vjet më parë, është një periudhë me plot sakrifica, vuajtje deri në çlirimin e vendit, por që sot na jep kurajë dhe vullnet për të ecur përpara dhe për të realizuar amanetin e dëshmorëve që ranë për këtë ditë të sotme”, tha Jashari.

Për nder të kësaj date në seancën e Kuvendit Komunal, në shenjë nderimi u mbajt një minutë nderim për të gjithë dëshmoret e kombit.