Republika e Kosoves

Skënderaj

Në fshatin Turiqec ka nisur puna për realizimin e projektit për ndërtimin e trotuarit dhe ndriçimit publik, që do të ketë shtrirje prej 11 kilometrave

2022/08/24 - 9:36

Sot, në fshatin Turiqec ka nisur puna për realizimin e një projekti të madh që ka të bëjë me modernizimin e infrastrukturës rrugore. Më saktësisht ka nisur të realizohet projekti për ndërtimin e trotuarit dhe ndriçimit publik, që do të ketë shtrirje prej 11 kilometrave.
Për të parë fillimin e punimeve, ka dal kryetari i Komunës Fadil Nura dhe drejtori për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit, Driton Mulaj, e ku ishte e pranishme mes qytetarëve edhe Besiana Thaçi – anëtare e Kuvendit Komunal të Skenderajt.
Kryetari Nura me këtë rast ka bashkëbiseduar me banorët vendës, lidhur me projektin në fjalë, për të cilin qytetarët janë shprehur falënderues ndaj qeverisjes lokale.
Projekti i ndërtimit të trotuarit dhe ndriçimit publik financohet nga buxheti i Komunës, dhe është i pari që ka zgjatje kaq të madhe të shtrirjes, duke kaluar nëpërmes pesë fshatrave; Turiqec, Kopiliq, Klladernicë, Kostërc dhe Runik.
Ky projekt ka qenë premtim i kryetarit Nura dhe qeverisjes së tij, në kuadër të programit qeverisës, për modernizim të infrastrukturës rrugore, përkatësisht ndërtim të trotuareve dhe ndriçimit publik në vendbanime.
Banorët vendës kanë vlerësuar se trotuari është i mirëpritur për shkak se kontribuon edhe në sigurinë e këmbësorëve, veçmas nxënësve në vajtjen e tyre shtëpi-shkollë dhe anasjelltas.