Republika e Kosoves

Skënderaj

Në katër Zona Kadastrale të Komunës së Skenderajt do të nis Rindërtimi Kadastral

2018/12/04 - 4:50

Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Agjensionit Kadastral të Kosovës dhe Drejtorisë Komunale për Gjeodozi, Kadastër dhe Pronë në Skenderaj nga fundi i muajit janar 2019 fillon rindërtimin e kadastrit në katër zona kadastrale në komunën e Skenderajt.

Më këtë rast do të mbahen takime informuese me qytetarët e këtyre zonave sipas orarit të paraparë, ku qytetarët do të informohen për rëndësinë e këtij projekti, për të mirat dhe përfitimet që sjell ky proces.

Rindërtimi i Kadastrit bëhet për shkak të mospërputhjes së të dhënave grafike me ato tekstuale si pasojë e mos-mirëmbajtjes së kadastrit dhe marrjes së dokumenteve nga Serbia gjatë periudhës së luftës në Kosovë, gjë që ka sjellë domosdoshmërinë e kryerjes së këtij projekti.

Ky proces ka shumë rëndësi pasi qytetarët do të mund t’i regjistrojnë të dhënat për pronësinë e paluajtshme në bazë të situatës aktuale në terren.

Rindërtimi i kadastrit është projekt mjaft i rëndësishëm për qytetarët e këtyre zonave kadastrale, pasi ata përmes këtij procesi do të mundë t’i regjistrojnë të dhënat për pronën e tyre të paluajtshme në bazë të situatës në terren.

Procesi i Rindërtimit të Zonave Kadastrale kryhet nga Kompania e përzgjedhur “Urban Metropol dhe Lorenco& Co’ dhe pritet të zgjasë 1 vit.

Takimet informuese për Rindërtimin e Zonave Kadastrale do të mbahen sipas këtij orari:

Në zonë kadastrale Çirez, Baks dhe Dashec, mbahet diskutim publik, më 6 dhjetor nga ora 16:30 në ambientin e shkollës në fshatin Çirez, kurse për fshatin Kostërc, qytetarët do të njoftohen me kohë rreth diskutimit në këtë fshat.