Republika e Kosoves

Skënderaj

Në takimin me qytetarë, kryetari Jashari merr vlerësime pozitive për punën që po bën

2019/06/29 - 10:54

Në takimin me qytetarë, kryetari Jashari merr vlerësime pozitive për punën që po bën

Në përmbushje të detyrimit ligjor, siç parashihet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, rreth takimit me qytetarë, kryetari i Komunës, z.Bekim Jashari, ka realizuar sot takimin e parë për këtë vit me qytetarë, para të cilëve ka shpalosur në detaje punët dhe projektet që janë duke u realizuar në komunën tonë.

Para një numri të madh të qytetarëve të pranishëm në këtë takim, kryetari Jashari ka folur rreth angazhimeve të të gjitha drejtorive komunale, në interes të qytetarëve, duke veçuar sektorin e bujqësisë, për të cilin tha se, duke qenë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik, iu është dhënë përkrahje më e madhe bujqve të komunës sonë, nëpërmjet granteve bujqësore dhe mbështetjes direkte në sektorë të bujqësisë.

Edhe arsimi si një nga prioritetet nën udhëheqjen e kryetarit Jashari, ka ngjallur interesimin e Ekzekutivit për investim, duke përmendur 164 bursa për studentë të dalluar të komunës sonë, dhe mbështetjen e 200 nxënësve sa i përket mbulimit të shpenzimeve të transportit nga shtëpia për në shkollë dhe anasjelltas.

Ka përmendur punimet intensive për përfundimin e ndërtimit të shkollave gjimnazi në Skenderaj, Polac, Makërmal e Qubrel; në sektorin e shëndetësisë me renovimin e qendrave të mjekësisë familjare në Llaushë, Turiqec, Runik e Klinë të Epërme, me zgjatje të orarit të shërbimit mjekësor; me ndërtimin e 19 shtëpive për të pastrehët dhe vazhdimin e këtij projekti edhe për raste të tjerë; me projektin për mbulimin e shpenzimeve të varrimit për çdo rast vdekjeje; me shpërblimin në vlerë prej 141 mijë eurove për qeverisje të mirë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me nënshkrimin e memorandumit me Ministrinë e Infrastrukturës në vlerë prej 2 milion eurove, për projektet kapitale.

Të gjitha këto veprime që kemi ndërmarrë në këta 6 muaj, janë vazhdimësi e asaj çfarë kemi bërë që prej ditës së parë, ka thënë kryetari Jashari, dhe ka shtuar se ka bindje të plotë për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë, para të cilëve Komuna e Skenderajt është duke u qeverisur me transparencë të plotë dhe llogaridhënie.

Qytetarët nga ana e tyre, janë shprehur të kënaqur me punën e bërë deri tani, dhe kanë kërkuar të ketë mbikëqyrje më të madhe gjatë realizimit të projekteve kapitale, si dhe kanë paraqitur disa kërkesa për investime, të cilat kryetari Jashari tha se çdo kërkesë do të trajtohet me kujdes, që t’i ipet zgjidhje e duhur.

Në fund të takimit, një nga studentët që ka përfituar bursë nga projekti i Komunës, në shenjë falënderimi për përkrahje të studentëve, ia ka dhuruar kryetarit Jashari dy piktura.