Republika e Kosoves

Skënderaj

Sqarim për Opinionin Publik

2018/07/06 - 2:11

Të dashur qytetarë,

Në fillim të mandatit tim në krye të Komunës së Skenderajt, ku papunësia është në shkallë të lartë, ku zhvillimi ekonomik ka stagnuar, ku varfëria ka lëshuar rrënjë, jam zotuar për të qenë jashtëzakonisht i hapur ndaj qytetarë, ndaj çdo kërkese, ndaj çdo dyshimi të mundshëm që mund të ketë ndonjëri. Transparenca dhe llogaridhënia janë dy nga parimet themelore të demokracisë. Prandaj, mbi këto dy parime unë do të vazhdoj të udhëheq Skenderajn tonë të dashur.

Të dashur qytetarë,
E kam për obligim moral, qytetar, por edhe si kryetar i Komunës së Skenderajt, të ndaj me ju faktet që hedhin dritë rreth asaj që thuhet së “Kryetari Jashari largon nga puna njerëzit e Sami Lushtakut”.

Dokumentet që shihni më poshtë, janë vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil, që ky këshill ka konstatuar shkelje dhe mos respektim të procedurave në konkursin e shpallur nga ekzekutivi i kaluar.

Ndjej jashtëzakonisht keqardhje për ata punëtorë ndaj të cilëve Këshilli kërkon shfuqizim të konkursit, sepse në këtë kohë kur papunësia është në nivele të larta, do të isha ndjer njeriu më i lumtur sikur të shtonim numrin e punëtorëve, por vetëm duke respektuar rregullat e përcaktuara ligjore. Në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim nuk do t’i anashkalojmë këto rregulla e ligje të aplikueshme në Kosovë, ashtu siç është vepruar në të kaluarën, veprime ato që i kanë kushtuar buxhetit të Komunës dhjetëra mijëra euro, raste të cilat janë të njohura për publikun, siç është rasti i Adem Metës. Si ky i fundit ka edhe shumë raste, për fatin tonë të keq.

Të dashur qytetarë,
Nuk desha dhe nuk dua të merrem me reagime dhe kundër reagime, sepse kemi shumë punë për të bërë, por po i ndaj me ju këto vendime të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil, në mënyrë që ju të gjykoni vet situatën.