Republika e Kosoves

Skënderaj

Rreth 800 mijë euro nga buxheti komunal për shujtat e mësimdhënësve të Komunës së Skenderajt

2020/09/08 - 1:53

Pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Asimit, Bekim Latifi, kanë mbajtur takim me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të komunës.

Kryetari Jashari ka uruar të gjithë mësimdhënësit për fillimin e vitit shkollor duke bërë thirrje që të respektohen gjitha vendimet e Ministrisë së Arsimit dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, që janë vendosur për shkollat në Kosovë, në mënyrë të parandalohet përhapja e virusit COVID-19.

Në këtë takim i pari komunës, i dha të pranishmëve lajmin e shumë pritur lidhur me pagesën e borxhit të shujtave për 850 mësimdhënës, në vlerë totale prej rreth 800 mijë euro, të cilat do të paguhen së shpejti
Kryetari Jashari me këtë rast u zotua se tani e tutje këto shujta do të paguhen çdo muaj, për të gjithë mësimdhenësit pa dallime.

Në vazhdën e përgaditjeve për këtë vit të ri shkollor, Komuna e Skenderajt, qysh me 1 shtator ka bërë dezinfektimin e të gjitha objekteve shkollore e po ashtu edhe ka pajisur të gjitha shkollat e komunës me mjete parandaluese në mënyrë të bëhet dezinfektimi në vazhdimësi.

Në fund Jashari ka shprehur mirënjohje për USAID-in dhe UNICEF-in të cilët kanë dhuruar mjete higjienike për shkollat e Skenderajt.