Republika e Kosoves

Skënderaj

Sot kryetari Fadil Nura ka mbajtur takimin e parë me qytetarë, ku ka prezantuar punën e deritanishme të qeverisjes lokale

2022/07/08 - 9:41

Në përmbushje të obligimit ligjor, përkatësisht Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Statutit të Komunës, që obligojnë kryetarin e Komunës të mbajë dy takime brenda vitit, si dhe duke përmbushur llogaridhënien dhe transperencën e plotë karshi publikut, sot kryetari Fadil Nura ka mbajtur takimin e parë me qytetarë, ku ka prezantuar punën e deritanishme të qeverisjes lokale, që prej se nisi mandatin kah fundi i viti të kaluar.
Në prezantim të aktiviteteve publike gjatë periudhës 7 mujore, kreu i Skenderajt, ka përmendur 15 projekte të reja kapitale që kanë nisur gjatë kësaj kohe, përkatësisht në periudhën kur kushtet klimatike u përmirësuan, pastaj nisjen e ndërtimit të fabrikës 4 milionëshe për përpunimin e drurit dhe parafabrikatëve të betonit, nisjen e renovimit të 13 objekteve shkollore, subvencionim në rritje të bujqësisë, rritje të bursave, shtim të numrit të mjekëve, funksionalizim të ambulantëve, dhjetëra veprime publike me përfitim të drejtpërdrejt qytetar, dhe nisma të tjera në dobi të zhvillimit, e karakterizuan qeverisjen tonë.
Kryetari Nura ka thënë se të gjitha projektet e nisura, janë premtime të tij, ndërkohë që ka siguruar se të gjitha do të përfundojnë.
Edhe subqendrat janë përmendur, ndërsa do të ndërtohen në Likoc, Qirez dhe Runik. Gjithashtu kryetari Nura ka njoftuar për projektet për kanalizim, ujësjellës, bujqësore dhe të tjera projekte në dobi të interesit qytetar.