Republika e Kosoves

Skënderaj

Sot në Marinë të Skenderajt është inauguruar Kompleksi Memorial i Dëshmorëve

2018/10/05 - 5:25

Sot në Marinë të Skenderajt është përuruar Kompleksi Memorial i Dëshmorëve në një manifestim madhështor, nën patronatin e Kryeminstrit z.Ramush Haradinaj dhe Kryetarit të Komunës së Skenderajt, z.Bekim Jashari, në të cilin kanë marrë pjesë presidenti i Republikës, z.Hashim Thaçi, kryetari i Parlamentit z.Kadri Veseli, kryeministri z.Ramush Haradinaj, ministra, deputetë, zyrtarë tjerë
familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të shumtë, ku edhe janë rivarrosur dëshmorët e kombit Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha.

Kryetari i Komunës, z.Bekim Jashari në fjalimin e tij ka thënë se sot Marina hyri në hartën e kombit, si vend ku pushojnë viganët e lirisë.

Ja edhe fjalimi i plotë i kryetarit Jashari:

“Nga sot, ky vend bëhet pjesë e kujtesës tonë kolektive, si fitohet liria. Është rikujtesë se si fitohet përjetësia. Sot, Marina po e bart peshën e dhimbjes dhe të krenarisë tonë, për heronjtë tanë që përjetësisht.

Nga këtu do t’i bëjnë roje atdheut tonë, lirisë tonë, ndërgjegjes tonë. Për mua si Kryetar Komune dhe pjesëtar i Familjes Jashari ishte detyrë e imja e parë që të përkujdesëm për ata që dhanë më së shumti për këtë tokë, për lirinë tonë, andaj me të marrë detyrën e kryetarit të komunës filluam me procesin e rivarrimit të dëshmorëve nga Polaci në Kompleksin Memorial në Marinë.

Unë nuk mund të lejoja që në shënimin e përvjetorëve të dëshmorëve , të ditës së flamurit, ditës së Pavarësisë dhe Epopesë së UÇK-së të vendosnim lule pranë varreve të dëshmorëve, ku nuk mund të dalloheshin emrat e tyre të shënuar në dërrasa druri. Mua nuk më lejonte ndërgjegjja ime që të qëndroja në karrige në zyrën time, ndërsa varret e dëshmoreve të mos dihen se ku janë, pa trajtimin e duhur institucional.

Dhe tani pas 20 viteve, këta heronjtë, dhe dëshmorë të lirisë tonë, do të pushojnë përjetësisht në vendin e tyre, në Kompleksin Memorial në Marinë.

Prej sot, e kemi më të lehtë frymëmarrjen, sepse, po e kurorëzojmë një detyrim të shenjtë ndaj dëshmorëve, po realizojmë një detyrim njerëzor ndaj kolosëve tanë, kolosëve të lirisë. Nga sot, familjet tona, do të jenë bashkë duke vënë kurora me lule këtu dhe gjithandej ku janë dëshmorët e heronjtë tanë, në Prekaz e Marinë, në Gllogjan e në Kleçkë, Landovicë e Kaçanik, në Ferizaj , në Reçak, Besianë , në Mitrovicë e Prishtinë, sepse ata ishin bashkë, që ne të jemi të lirë dhe të bashkuar.

Ashtu siç ishin këta viganë bashkë, bashkë në fillimet e para të Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës, nga shtëpitë tona, nga lagjet tona, nga fshatrat e qytetet tona, për ta kapluar gjithë Kosovën, në betejën finale me ushtrinë serbe.

Sot, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi e Abedin Rexha, me 154 dëshmorët i japin Marinës, një dimension që nuk e kishte deri sot. Kështu krenare, përjetë do të jetë Marina. Prej këtu, edhe sot, secili do të marrë me vete peshën e amanetit të viganëve tanë, për të punuar më shumë e më mirë për të ardhmen e Atdheut tonë.

Me nderimet më të larta të Republikës së Kosovës të Atdheut tonë, po i japim nderimin çfarë e meriton çdo hero e dëshmor i këtij vendi, duke e vendosur përjetësisht në vendin e merituar, në varrezat e dëshmorëve. Sot, jam unë, po aq i nderuar e krenar ashtu si çdo familje heroi e dëshmori, për praninë e qytetarëve nga mbarë Kosova. Për të përcjell trimat tanë me nderime, në këtë ceremoni.

Falënderoj Kryeministrin Haradinaj për mbështetjen e pakursyer që na dha në këtë proces, ai e njeh këtë detyrë të shenjtë ndaj dëshmorëve, falënderoj Ministrin e FSK-së dhe Gardën ceremoniale të Ushtrisë së Ardhshme të Kosovës të cilët bënë një punë të shenjtë me shumë përkushtim në përcjelljen e rivarrimit të gjithë dëshmorëve dhe të heronjve të kombit, dhe sot edhe të komandantëve dhe kolosëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha.

Falënderoj përfaqësuesit e Mjekësisë Ligjore me Prof. Arsim Gerxhaliu, të cilët na mundësuan që rivarrimet të kryen me ekspertizat profesionale, Agjensionin për Komplekset Memoriale, nën përkujdesjen e të cilëve tani e tutje do të jetë ky Memorial, ky vend i shenjtë.

Falënderojë të gjithë ata përfaqësues institucional që na mbështeten në këtë proces , në veçanti falënderoj nënkryetarin e komunës Gjeneral Nuredin Lushtaku, koordinatorin e këtij procesi drejtorin, Ramiz Shala, dhe deputetin Bekim Haxhiu, i cili në çdo hap ishte me ne.
Sepse kjo nismë e imja, nuk ishte e lehtë, prandaj nga thellësia e zemrës i falënderoj të gjithë ata që na ndihmuan, në veçanti çdo familje dëshmori, me të cilët bashkë-ndiejmë dhimbjen dhe krenarinë, pa përkrahjen e të cilëve ne nuk do të arrinim që sot, në mënyrë madhështore ta kryejmë këtë ceremoni.

E falënderoj secilën familje që sot kemi mundësi t’ia japim dorën, dhe së bashku të rikujtojmë historinë tonë të përbashkët, të dhimbshme por krenare. Lufta dhe Liria kaloi këndej, në Marinë dhe nga sot Marina do të jetë vendi ku ne dhe brezat që vijnë do të përkulen për t’u bërë nderimin këtyre burrave dhe grave që ranë për LIRI.

Ja ku jemi. Në tokën tonë, në Kosovën tonë, në Atdheun tonë!

Çdo kujtim më shtynte ta bëja këtë detyrë. Për të gjithë neve.

Nga zemra ju falënderoj sinqerisht, dhe përulem para sakrificës madhore të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë. Lavdi e përjetshme për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!”, është shprehur kryetari Jashari.

 

 

Fotografia e Komuna Skenderaj

Fotografia e Komuna Skenderaj

 

Fotografia e Komuna Skenderaj

 

Fotografia e Komuna Skenderaj

Fotografia e Komuna SkenderajFotografia e Komuna SkenderajFotografia e Komuna SkenderajFotografia e Komuna SkenderajFotografia e Komuna SkenderajFotografia e Komuna SkenderajFotografia e Komuna SkenderajFotografia e Komuna SkenderajFotografia e Komuna Skenderaj

Fotografia e Komuna Skenderaj

Fotografia e Komuna SkenderajFotografia e Komuna Skenderaj

Fotografia e Komuna SkenderajFotografia e Komuna SkenderajFotografia e Komuna Skenderaj

Fotografia e Komuna Skenderaj

Fotografia e Komuna SkenderajFotografia e Komuna Skenderaj

 

Fotografia e Komuna Skenderaj

 

 

Fotografia e Komuna Skenderaj