Republika e Kosoves

Skënderaj

Vlerësohen dëmet nga termeti

2010/05/28 - 12:00

Skenderaj, 28 maj – Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Skenderajt ka pranuar afërisht njëmijë kërkesa për riparim shtëpish, të cilat u dëmtuan si pasojë e tërmetit që goditi vendin tonë me 10 mars të këtij vitit. Autoritetet e këtushme lokale, menjëherë pas lëkundjeve të tokës ngritën komisione vlerësuese për dëmin e shkaktuar, duke fotografuar dhe marrë shënime për objektet e dëmtuara. Shemsi Maksuti, drejtor i Shërbimeve Publike, ka thënë se, që nga dita e 10 marsit e deri më sot komisioni në nivel komunal ka pranuar 985 raste me dëme materiale. Mirëpo kjo shifër nuk është përfundimtare dhe pritet të rritet, pasi kanë mbetur pa u përfshirë në vlerësim edhe dy fshatra. Sipas vlerësimit që ka bërë komisioni, del se mesatarja e dëmit është 1300 euro për secilin objekt, kurse vlera e përgjithshme e dëmit llogaritet të jetë 1 milion e 512 mijë euro. Z. Maksuti thotë se ka objekte që kanë pësuar dëme të mëdha, në të cilat patjetër duhet të intervenohet të ndërtohen tërësisht, siç është rasti i dëmtimit të dy shkollave fillore “Shotë Galica” në Runik dhe “Shaban Jashari” në Skenderaj. Drejtori ka sqaruar se buxheti i komunës është i limituar t’u bëjë çare halleve të banorëve. “Buxheti është i kufizuar, një pjesë e të cilit është i paraparë për kriza emergjente. Është një shumë e vogël prej 5 mijë euro subvencione për fatkeqësi natyrore”, ka bërë të ditur ai. Megjithkëtë, Maksuti shprehet se kur është fjala për dëme me shkallë të lartë, patjetër duhet të ndërmerr hapa konkret Qeveria e Kosovës, përndryshe Komuna e Skenderaj nuk mund të bëjë asgjë me buxhetin e vet të papërballueshëm. Drejtoria e Shërbimeve Publike, e cila merret edhe me menaxhimin e situatave të kësaj natyre, do të përgatisë brenda pak ditësh raportin përfundimtar të vlerësimit të dëmit, i cili do t’i përcillet Ministrisë së Punëve të Brendshme, në kuadër të së cilës vepron Sektori i Emergjencave. “Sigurisht se do t’u bëhet një kërkesë institucioneve qendrore për kompensimin e dëmit”, ka thënë në fund Shemsi Maksuti, drejtor i Shërbimieve Publike për Komunën e Skenderajt.

Skenderaj, 28 maj – Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Skenderajt ka pranuar afërisht njëmijë kërkesa për riparim shtëpish, të cilat u dëmtuan si pasojë e tërmetit që goditi vendin tonë me 10 mars të këtij vitit.