Republika e Kosoves

Viti

20 shkolla të komunës së Vitisë përfituese të projektit ambiental të “Let’s do it Kosova”

2019/02/11 - 3:17

Komuna e Vitisë dhe Let’s do it Kosova, kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi, për zhvillim të shumë aktiviteteve , të cilat kanë për qëllim mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit jetësor, si dhe sensibilizimin e shoqërisë sonë, për çështje mjedisore. Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin që çështja ambientale të institucionalizohet edhe në institucionet edukativo arsimore, nëpërmjet programeve trajnuese për nxënës, si hap fillestar. Në vazhdën e këtij bashkëpunimi, do të përfshihen 20 shkolla të komunës së Vitisë. Let’s do it Kosova është duke zhvilluar produktin e trajnimeve për nxënës të shkollave fillore, të mesme të ulëta me titull: “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve në fushën e mjedisit jetësor dhe rivitalizimin e hapësirave shkollore”. Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi me përfaqësuesit e Let’s do it Kosova, kryetari Sokol Haliti ka theksuar se  ne si Institucione kemi qenë në vazhdimësi të angazhuar sa i përket çështjeve ambientale e mjedisore, e gjithashtu edhe në krijimin e hapësirave gjelbëruese në komunën e Vitisë. Në  këtë takim, ishin të pranishëm edhe drejtoresha e Arsimit Fatbardha Emini, drejtori i Shërbimeve Publike Nexhmedin Jakupi , si dhe ai i Urbanizimit, planifikimit dhe mbrojtjes së mjedisit, Ajet Sallahu.