Republika e Kosoves

Viti

Institucionet komunale dënojnë aktin e dëmtimit të ndriçimit publik në Viti

2018/12/26 - 10:37

Institucionet komunale, respektivisht Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Viti, ka reaguar sot rreth rastit të dëmtimit të ndriçimit  publik në qytetin e Vitisë, dy ditë më parë. Qëllimshëm janë dëmtuar dhe thyer llambat ndriçuese në sheshin “Hasan Alia”, po ashtu edhe tek shtatorja e dëshmorit Rashit Mustafa” afër stacionit të autobusëve, si dhe tek memoriali i gazetarit “Kerim Lewton”. Sipas drejtorit të Drejtorisë për Shërbime Publike Nexhmedin Jakupi, janë dëmtuar rreth 60 llamba ndriçuese në këtë pjesë të qytetit.  Ai thotë se persona të papërgjegjshëm kanë shkatërruan parmbrëmë ndriçimin publik për skaj të këtyre  shëtitoreve dhe aktet e tilla të shkatërrimit të pasurisë publike janë të papranueshme. Drejtori Jakupi inkurajon qytetarët e kësaj komune që në çdo çast që hasin në raste të tilla, të lajmërojnë organet kompetente me qëllim që dëmtuesit e pronës dhe pasurisë publike të ndëshkohen për veprime të tilla. Për rastin në fjalë, janë njoftuar edhe organet policore për zbulimin e dëmtuesve të rrjetit të ndriçimit publik.   Ndriçimi publik ka qenë në shënjestër të dëmtuesve të qëllimshëm edhe vitin e kaluar, por edhe para dy javësh, kur në shëtitoren për në fshatin Binçë ishin thyer disa llamba dhe dëmtuar shtyllat e tyre.