Republika e Kosoves

Viti

Komuna e Vitisë dhe Drejtorët e shkollave diskutuan mbi masat parandaluese të përhapjes me Koronavirus

2020/03/11 - 12:22

Komuna e Vitisë ka mbajtur sot një takim me drejtorët e shkollave ku është biseduar rreth masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 (Koronavirus). Gjatë këtij takimi pos drejtorëve të shkollave kanë marrë pjesë edhe Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, zv. Kryetari, Hasan Aliu dhe Drejtori i Arsimit në Viti, Basri Aliu. Megjithatë zyrtarisht deri me tani në Kosovë nuk ka raste të personave të prekur me këtë virus.

Drejtori Aliu gjatë këtij takimi potencoi se kjo komunë është duke zbatuar Planin e veprimit të Ministrisë së Arsimimit Shkencës dhe Teknologjisë për parandalimin e COVID-19 dhe bëri me dije se Komuna e Vitisë veç se ka formuar ekipet koordinuese për parandalimin e këtij virusi. Ai gjatë këtij takimi kërkoj nga drejtorët e shkollave që të informojnë DKA-në rreth nevojave të shkollave për furnizim me mjete higjienike dhe shtoj se pasi që qeveria ka ndarë 10 milion euro për këtë çështje është e domosdoshme që shkollat të dezinfektohen dhe të furnizohen me mjete dezinfektuese. Aliu kërkoj që në parandalimin e përhapjes së këtij virusi të bashkëpunojnë ngushtë me drejtorinë komunale të arsimit por edhe me të gjitha nivelet e tjera. Ndërkaq Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti potencoi se kjo drejtori duhet të koordinohet me nivelin qendror dhe të shikoj mundësitë e ndalimit të tubimeve masovike me qëllim të parandalimit të infektimit me këtë sëmundje. Ndërkaq zv. Kryetari Aliu tha se nuk kemi nevojë të krijojmë panik për shkak të këtij virusi por theksoj se duhet të ndërmerren masat pasi ky virus është përhapur në gjithë botën dhe kemi lëvizje të madh të popullatës nga shtetet e ndryshme të cilët tani me veç se janë prekur nga ky virus. Ndërkaq në mesin e drejtorëve të shkollave pati edhe nga ata që kërkuan të shikojnë mundësitë për ndërprerjen e procesit mësimor. Ndërkaq gjatë këtij takimi drejtorët kanë pranuar edhe disa poster që kanë të bëjnë me masat parandaluese të përhapjes me Koronavirus. Përndryshe deri tani në Kosovë nuk ka raste të personave të prekur me këtë virus.