Republika e Kosoves

Viti

Kryetari Haliti : Kemi analizuar projektet të vitit 2018  dhe ato që nuk janë sipas kontratës së nënshkruar nuk do të pranohen dhe do të merren masa ligjore

2019/02/04 - 11:51

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti si çdo të hëne edhe sot ka mbajtur mbledhjen e rregullt me drejtorët e drejtorive komunale. Gjatë këtij takimi u bë me dije se Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, tani e tutje do të udhëheq znj. Arlinda Sahiti. Gjithashtu në këtë takim Kryetari Haliti dhe Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim kanë potencuar se institucionet komunale të Vitisë, kanë  analizuar projektet të cilat janë realizuar gjatë vitit 2018. Kryetari Haliti tha se Komuna e Vitisë, pas kësaj analize ka parë që disa projekte nuk janë realizuar sipas kontratave të cilat kanë nënshkruar disa operator ekonomik ne Komunën e Vitisë. Ai kërkoj që projektet të cilat nuk janë në cilësinë e paraparë me kontratë të mos pranohen.

“Ne kemi bërë një analizë të cilësisë për projektet të cilat janë realizuar gjatë vitit të shkuar. Kemi parë që disa projekte nuk janë realizuar sipas cilësisë që është paraparë me kontratën të cilat i kanë nënshkruar Operatorët Ekonomik.  Kërkoj që projektet të cilat nuk janë sipas cilësisë së paraparë të mos pranohen. Nëse ato nuk rregullohen siç është paraparë me kontratat të cilat i kanë nënshkruar vetë Operatorët Ekonomik atëherë duhet të marrim masat ligjore ndaj atyre që janë përgjegjës për këtë”, u shpreh Kryetari Haliti.  Ai potencoi se Komuna të cilën ai e udhëheq gjatë këtij viti do të mbikëqyr në mënyrë më rigoroze realizimin e projekteve në këtë komunë.

Gjithashtu bëhet me dije se në këtë takim është folur edhe për: planet e punës së drejtorive komunale, fillimin e procesit mësimor në shkollat e Komunës së Vitisë,  punët që janë kryer gjatë këtij viti dhe për punët dhe aktivitet e tjera të cilat parashihen të realizohen në këtë komunë.